Fatjon Cuka,Malik Hasa
18 shkurt 2016•Përditësim: 18 shkurt 2016
TIRANË (AA) - Kryetari i Parlamentit të Izraelit (Knesset), Yuli- Yoel Edelstein, gjatë vizitës së tij në Shqipëri është takuar me homologun, shqiptar, Ilir Meta, ku më pas kanë mbajtur një prononcim për mediat. Mësohet se temë e diskutimeve të tyre kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe zhvillimet aktuale ndërkombëtare që janë në rendin e ditës, raporton Anadolu Agency (AA).
Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, u shpreh në konferencën e përbashkët për shtyp, se populli shqiptar shfaqi solidaritet ndaj hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore. “Jemi të unifikuar në sfidën kundër terrorizmit si një sfidë serioze për vendet tona”, u shpreh gjithashtu Meta.
Kryetari i Parlamentit të Izraelit, Yuli- Yoel Edelstein, ka deklaruar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë ndërtuar mbi një miqësi të vjetër.
“Kemi patur mundësinë të shkëmbejmë vizita të ndryshme. Dëshiroj të them që ky është fillimi i një rrugëtimi të gjatë të përbashkët”- u shpreh Edelstein.
Yuli- Yoel Edelstein ndodhet në Tiranë, në kuadër të punimeve të sesionit të 10-të Plenar të Asamblesë Parlamentare të Mesdheut, (PAM).