Fatjon Cuka
14 shtator 2026•Përditësim: 14 shtator 2026
Me koncertin e grupit “Telli Sazlar Uçlusu" në Shqipëri ka filluar Java e Kulturës Turke, e cila do të vazhdojë me aktivitete për disa ditë, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e hapjes në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve shqiptare, artistë, studentë dhe artdashës, ndërkohë performuan artistët Ege Çakir, Sermin Ozlem Turhan dhe Utkan Mesci.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh se marrëdhëniet Shqipëri-Turqi nuk janë marrëdhënie të zakonshme, por sipas tij janë marrëdhënie të hershme historike.
"Kultura quhet edhe historia e të dy rajoneve tona, është formësuar bashkërisht. Marrëdhëniet tona të përbashkëta nuk mbështeten vetëm në histori apo në të shkuarën tonë të përbashkët, mbështeten gjithashtu edhe në vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen. Ne aktualisht tejçojmë në zhvillim e sipër të gjitha marrëdhëniet tona si në fushën e tregtisë, po ashtu dhe në fushën e politikës dhe të arsimit. Sigurisht që të gjitha këto marrëdhënie duhet të ushqehen vazhdimisht", tha ambasadori Erciyes.
Ambasadori turk theksoi se hapjen e Javës të Kulturës Turke e shikojnë si një pasqyrim të bashkëpunimeve të thelluara mes dy vendeve.
Drejtori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oguzhan Sakoglu, theksoi se Turqia dhe Shqipëria janë dy vende me lidhje historike mjaft të forta. "Fuqia e këtyre lidhjeve ndihet në çdo dimension, në atë tregtar, ushtarak, politik dhe kulturor. Që nga dita e themelimit dhe deri më sot, Instituti ‘Yunus Emre’ nëpërmjet veprimtarive të tij, veçanërisht kurseve të gjuhës turke, por dhe aktiviteteve të ndryshme, vijon punën për mësimin e gjuhës turke jashtë vendit dhe promovimin e kulturës turke", tha Sakoglu.
Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë, Marinela Prifti, u shpreh se Shqipëria dhe Turqia kanë një bashkëpunim të gjerë në fusha të ndryshme, si në turizëm dhe sport, kurse kultura është një prej hapësirave ku ky bashkëpunim mund të zhvillohet përmes projekteve, aktiviteteve dhe shkëmbimeve të ndryshme.
"Gjatë kësaj jave, Tirana dhe Shkodra të bëhen hapësira të dedikuara të muzikës, kinemasë dhe kulturës turke, duke i dhënë publikut shqiptar mundësinë të njohë më nga afër disa prej aspekteve të jetës kulturore dhe artistike të Turqisë", theksoi Prifti.
Ndërkohë, koncert i ngjashëm do të mbahet nesër edhe në qytetin e Shkodrës.
Aktivitetet që do të vazhdojnë deri më 18 shtator në Tiranë dhe Shkodër për promovimin e kulturës turke në Shqipëri, që përfshinë koncerte dhe shfaqje të filmave, do të zhvillohen me përpjekjet e përbashkëta të Ambasadës turke në Tiranë, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Institutit "Yunus Emre" si dhe të bashkive të Shkodrës dhe Tiranës.