Kulturë

Prishtinë, hapet Java Globale e Ndërmarrësisë

Në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë, ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila tha se është shpirti i ndërmarrësve të rinj që po e çon Kosovën përpara

Agim Sulaj  | 18.11.2019 - Përdıtësım : 18.11.2019
Prishtinë, hapet Java Globale e Ndërmarrësisë Foto: Zülfiya Yakup/AA

Prishtinë

Qendra e Inovacionit të Kosovës (ICK) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) kanë mbajtur ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019 në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë hapëse të kësaj jave u bë e ditur se temat kryesore të aktiviteteve do të jenë arsimi, gjithëpërfshirja, gratë sipërmarrëse dhe politikat e ndërmarrësisë. 

Drejtori ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu tha se Java e Ndërmarrësisë Globale po fillon sot në 180 shtete të botës dhe se aktivitete të ndryshme do të organizohen këtë javë. Ai tha se janë bërë bashkë rreth 60 organizata dhe se brenda javës do të mbahen mbi 80 aktivitete në Kosovë. 

“Sot, 7 vjet pas, jemi diku rreth 60 organizata të cilat jemi bërë bashkë. Shtatë vjet më parë nuk e kemi menduar që nuk do ta kemi lëvizjen e lirë. Bashkimi i forcave na bën të besojmë që ky vend ka një të ardhme të ndritur nëse investojmë në atë që të rinjtë besojnë”, tha Begu.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, tha se kjo është një periudhë kur të rinjtë nuk shohin perspektivë dhe thelbi i kësaj jave duhet të jetë ndarja e tregimeve të suksesit në Kosovë. Zeka ka sqaruar se 14 aktivitete përgjatë tërë javës do të mbahen nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.

Në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë, ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Vlora Çitaku, e cila tha se është shpirti i ndërmarrësve të rinj që po e çon Kosovën përpara.

“Shumë pak njerëz dinë se rreth 60 për qind e GDP-së vjen nga shërbimet, dhe nga të talentuarit e industrive të teknologjisë që po lulëzojnë në Kosovë. Vetëm në 10 vitet e kaluara numri i kompanive që lidhen me IT është rritur për 185 për qind dhe ky progres nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e të gjithë juve, veçanërisht të ICK-së dhe storiet e shkëlqyera që ju arritët t’i bëni”, theksoi Çitaku.

Në 180 shtete të botës ka filluar “Java e Ndërmarrësisë Globale” me mbi 10 milionë pjesëmarrës ndërsa në Kosovë do të jetë e hapur deri të dielën (18-24 nëntor).

Gjatë kësaj kohe do të organizohen trajnime, takime me sipërmarrës, prezantimi i ideve të ndryshme të biznesit, tryeza të rrumbullakëta dhe konkurse.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.