Ayhan Şimşek,Cüneyt Karadağ
27 maj 2016•Përditësim: 28 maj 2016
BERLIN (AA) - Pianisti i ri Ajham Ahmed, i cili u bë shpresë për njerëzit me pianon e tij në të cilën luante në rrugët e Jermukut, vend ky shënjestër e bombardimeve të regjimit të Asadit, dhe i cili arriti që ta tërheqë vëmendjen e botës drejt këtij rajoni, tanimë jeton në një shtëpi refugjatësh në Gjermani.
Ahmedi i cili kishte arritur në Gjermani në muajin shtator pas një rrugëtimi të rrezikshëm në Detin Egje por që nuk ishte shkëputur nga muzika, po vazhdon ta jehojë zërin e sirianëve përmes koncerteve në të cilat interpreton.
Artisti me prejardhje palestineze, në deklaratën për gazetarin e AA-së, rrëfeu se për koncertet e tij shprehet interesim i madh dhe se ka qenë shumë i gëzuar kur ka dëgjuar se edhe Angela Merkel do të jetë e pranishme që ta dëgjojë.
Ahmed tha se "Njerëzit në Gjermani, pas koncerteve të mia vijnë dhe flasin me mua. Thonë se së bashku me mua e përjetojnë kampin e Jermukut dhe se i ndajnë ndjenjat e mia. Për hirë të paqes duhet që të përpiqemi së bashku."
Duke theksuar se sirianët kanë bërë përpjekje mbijetese në kushte shumë të vështira për shkak të luftës, bombardimeve, bllokadave, urisë dhe mungesës së ujit, Ahmed tha se edhe ata që duan të vijnë në Evropë e hedhin jetën e tyre në rrezik shumë serioz.
- Tejkaloi rrezik për vdekje-
Ahmed u shpreh se ka arritur të vijë në Evropë duke paguar 5 mijë euro për trafikuesit dhe se gjatë rrugës ka qenë dëshmitarë i vdekjeve. Më tej ai vazhdon: "Ndërsa po përpiqeshim të arrinim në Greqi në një barkë shumë të ngjeshur, nga koka nuk më largohej mendimi se mund të vdes pas pesë minutash. Disa herë dështuam. Disa barka na u fundosën, ndërkohë që pashë edhe njerëz që mbyteshin. E shpëtova një vajzë katërvjeçare dhe e nxora në breg. E ëma dhe i ati i saj nuk dinin të notonin. Mëkat që ata nuk mundën të shpëtohen!"
Duke treguar se ka qenë i detyruar t'i lë mbrapa bashkëshorten dhe dy fëmijët për shkak të rreziqeve të mëdha me të cilat mund të ballafaqohej gjatë rrugëtimit nga kampi i Jermukut për në Turqi dhe gjatë kalimit në Detin Egje, Ahmed tha se ëndrra e tij më e madhe është që sa më parë t'i sjellë edhe ata në Gjermani.
Ahmed e falënderoi Gjermaninë që ua ka hapur dyert refugjatëve, duke u shprehur më tej se kushtet në kampe janë shumë të mira porse procedura për njohjen e statusit të refugjatëve merr kohë të gjatë dhe se kjo u shkakton vështirësi.
- Nuk po mund ta sjellë familjen-
Ahmedi i cili është pjesëtar i një familjeje palestineze dhe i cili ka lindur në kampin e refugjatëve palestinezë në Siri, vazhdoi: "Gjermania ua hap dyert refugjatëve, por sot e shohim se shumë vende arabe nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Këtë e them pa përmendur emra. Mund të them se qasja e Gjermanisë ndaj refugjatëve është shumë e mirë. Po marrim 300 euro në muaj. Shkojmë në kurse të gjermanishtes që ta mësojmë gjuhën. Megjithatë, na nevojitet të presim shumë kohë gjatë marrjes së dokumenteve. M'u desh të pres dhjetë muaj. Më është thënë se më duhet të pres edhe dy vite që të mund ta sjell familjen."