Admir Fazlagikj
26 Prill 2020•Përditësim: 26 Prill 2020
Sonte në Shkup në kuadër të aktivitetit "Tingujt e Karposhit urban" është mbajtur një program muzikor gjatë orës policore kur qytetarët qëndronin të mbyllur brenda në shtëpitë e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Programi muzikor u mbajtë në çatinë e qendrës tregtare "City Mall", organizuar nga Komuna e Karposhit të Shkupit, ndërsa qytetarët kishin mundësinë të shijojnë përzgjedhjen muzikore të "Dj Babura Junior" nga tarracat e ndërtesave dhe shtëpive të tyre.

Gjatë programit muzikor, qytetarët dëgjuan hite muzikore në gjuhën maqedonase dhe në gjuhë të huaj.
"COVID-19 na ka mbyllur në shtëpitë tona, por askush nuk mund të ndalojë frymën pozitive, energjinë dhe muzikën", njoftoi Komuna e Karposhit në faqen zyrtare të saj në rrjetet sociale.
Sipas masave të fundit të qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, në mbarë vendin ora policore nga e hëna deri të premten zbatohet në periudhën kohore 19:00-05:00, ndërsa gjatë fundjavave fillon të shtunën në ora 15:00 dhe mbaron të hënën në ora 05:00.