Agim Sulaj
22 Mars 2020•Përditësim: 22 Mars 2020
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) ka bërë të ditur se numri i të infektuarve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Kosovë ka shkuar në 31, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim për media, IKSHPK tha se gjatë ditës në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar 150 mostra të dyshimta për virusin SARS-CoV-2 dhe një prej tyre është pozitiv.
“Rasti pozitiv është me vendbanim nga fshati Senik- Malishevë, i gjinisë mashkull me moshë 31 vjeçare”, shkruan në njoftim.
IKSHPK vetëm rreth një ore para lajmërimit të rastit të fundit, ka njoftuar edhe për dy të diagnostikuar me koronavirusin e ri me vendbanim nga Komuna e Gjilanit, “njeri i gjinisë mashkullore me moshë 20 vjeç dhe tjetra e gjinisë femërore e moshës 36 vjeç”.
Në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 567 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre 31 raste kanë rezultuar pozitive.
Të shtunën në mesditë kryeministri Albin Kurti si dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i bënë thirrje qytetarëve të Kosovës nëpërmjet një konference për media të respektojnë rekomandimet dhe urdhërat e autoritetve shtetërore për parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të premten, ndër masat e fundit të ndërmarra për parandalimin e koronavirusit, ka vendosur për mbylljen e të gjitha parqeve në territorin e Kosovës nga ora 08:00 deri në orën 20:00, gjithashtu ka obliguar të gjitha marketet që janë lejuar të punojnë “të vendosin shenjat për mbajtjen e distancës prej një metër”, si dhe të gjitha lokaleve u është ndaluar të shërbejnë kafe “si brenda ashtu edhe për t’i marrë me vete”.