Ekip
13 Maj 2022•Përditësim: 13 Maj 2022
Koreja e Veriut sot ka konfirmuar 6 vdekje nga COVID-19, që janë të parat në vendin e izoluar pasi njoftoi shpërthimin e sëmundjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Agjencisë qendrore koreane të lajmeve (KCNA), koronavirusi filloi të përhapet në vend në fund të muajit të kaluar, duke infektuar më shumë se 350 mijë njerëz deri më tani.
Mbi 162.200 janë shëruar nga infeksioni ndërsa 187.800 persona janë izoluar për trajtim.
“Gjashtë persona vdiqën (njëri prej tyre rezultoi pozitiv për nënvariantin BA.2 të Omicron)”, raportoi KCNA.
Të enjten, Koreja e Veriut raportoi 18 mijë raste të reja me COVID-19 dhe vendosi bllokim mbarëkombëtar.
Koreja e Veriut është ndër vendet e pakta që nuk raportuan asnjë rast që nga fillimi i pandemisë më shumë se dy vjet më parë.
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un vizitoi selinë për parandalimin e epidemisë ku u informua për situatën aktuale.
Kim urdhëroi bllokimin dhe masa për të kontrolluar përhapjen e virusit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk ka të dhëna për ndonjë vaksinim kundër COVID-19 në vendin prej 25 milionë banorësh, me Phenianin që ka refuzuar ofertat e përsëritura të furnizimeve të vaksinave nga komuniteti ndërkombëtar.