Ahmet Gürhan Kartal
24 Mars 2020•Përditësim: 25 Mars 2020
Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, në një konferencë për media njoftoi se qeveria do të shndërrojë një qendër të konventave në Londër në një spital urgjent, në kohën kur numri i vdekjeve në Mbretërinë e Bashkuar është rritur për 87 në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Hancock iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve përmes një video lidhjeje, si pjesë e masave të distancimit social.
Kjo vjen pasi Departamenti i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar njoftoi se në vend janë bërë 90.436 testime, prej të cilave 82.359 ishin negative dhe 8.077 pozitive.
“Për fat të keq, 422 pacientë që kanë qenë pozitivë në koronavirus (COVID-19), kanë vdekur", thuhet më tej në njoftim.
"Javën e ardhshme, ne do të hapim spital të ri, spitalin e përkohshëm NHS Nightingale Hospital në qendrën Excel në Londër", tha Hancock, duke shtuar se ai do të përbëhet nga dy pavione me nga 2.000 persona secili.
"Me ndihmën e ushtrisë dhe mjekëve nga NHS, ne do të sigurohemi që të kemi kapacitetin e nevojshëm në mënyrë që secili të mund të merr mbështetjen e nevojshme", tha Hancock.
Ky do të jetë vetëm një nga spitalet urgjente që do të ndërtohen në vend. Londra është zgjedhur si destinacion i parë pasi kryeqyteti ka numër më të madh të rasteve se pjesa tjetër e vendit.
Qendra e Konventave Excel mbulon një hapësirë masive prej 100.000 metrash katrorë në Londër dhe është vendi ku u zhvillua takimi i krizës financiare globale G20 në vitin 2009.
Hancock gjithashtu tha se 11.788 persona që më herët kanë qenë personel mjekësor, duke përfshirë mjekë, infermiere dhe të tjerë, janë pajtuar që të kthehen në Shërbimin Kombëtar të Shëndetit për të ndihmuar në luftimin e përhapjes së koronavirusit.
Ai shtoi në shërbimin kombëtar shëndetësor do të inkuadrohen para kohe edhe 5.500 studentë të vitit të fundit të fakultetit të mjekësisë, si dhe 1.800 infermiere, gjithashtu studentë të vitit të fundit.
Më herët gjatë ditës, Hancock dha detaje në lidhje me urdhrat qeveritarë për të qëndruar në shtëpi, për distancim social kur dilet jashtë, si dhe për kompetencat e policisë për të shpërndarë tubimet prej më shumë se dy persona dhe për të gjobitur kundërvajtësit.
Ai i tha parlamentit se "këto masa nuk janë këshilla, ato janë rregulla dhe do të zbatohen, përfshirë këtu edhe gjobitjen nga policia që fillon nga 30 paundë deri në gjobitje të pakufizuara për mosrespektimin".
Në një takim me gazetarët më herët gjatë ditës të mbajtur në Downing Street, zëdhënësi i kryeministrit demantoi pohimet, duke përfshirë edhe ato që vijnë nga Partia Konservatore, se Mbretëria e Bashkuar është vonuar me vendimin për të bllokuar vendin dhe të t'i ikur fatit të Italisë.
Zëdhënësi tha se politika në Mbretërinë e Bashkuar udhëhiqej nga shkenca dhe ekspertët.
Sot mbizotëroi edhe diskutimi nëse duhet të vazhdojnë punimet ndërtimore. Kryetari i Londrës Sadiq Khan dhe Ministri i Parë Skocez Nicola Sturgeon kanë bërë thirrje për ndalimin e punimeve. Qeveria tha se mbështet vazhdimin e punimeve, por kompanitë e ndërtimit duhet të kenë mendim praktik dhe të ruajnë distancimin social në lokacionet e ndërtimit.
Sipas të dhënave të Universitetit amerikan Johns Hopkins, pas paraqitjes së virusit në qytetin kinez Wuhan në dhjetor, ai u shpërnda në të paktën 169 shtete dhe rajone.
Italia, Kina, Irani dhe Spanja vazhdojnë të jenë shtetet më të prekura nga ky virus.