Recep Şakar
06 Mars 2017•Përditësim: 06 Mars 2017
MELBURN (AA) - Recep Şakar
Peter Blenkiron nga Ballarata, Australi, si fillorist ka qenë viktimë e abuzimit të Edward Dowlan, anëtar i organizatës “Christian Brothers”, tashmë disa dekada nuk mund të çlirohet nga ato trauma, raporton Anadolu Agency (AA).
Blenkiron (53) ka vendosur që të ndajë përvojën e tij me qëllim që diçka e ngjashme të mos u ndodh gjeneratave të ardhshme.
Ai thekson se pasi foli për atë se çfarë i ka ndodhur teksa kishte 11 vjeç dhe ishte nxënës i shkollës fillore “St. Patrick’s”, është ngritur hetim dhe procedura gjyqësore.
“Përdoren shprehje të buta sikur 'abuzim të fëmijëve'. Është përdhunim. Ajo është diçka që viktimat do t’i ndjek deri në fund të jetës. Shumë shokë të mi të shkollës kanë vdekur të rinj. I dhanë fund jetës së tyre. Kryen vetëvrasje përmes pirjes, ilaçeve dhe shfrytëzimit të drogave”, tha Blenkiron. Ai kujtoi se ky problem përfshin mbarë botën, jo vetëm Australinë.
“Meshkujt konsiderojnë se duhet vetë të përballen me këtë. Ndonjëherë kërkimi i ndihmës kërkon më shumë guxim”, shtoi Blenkiron.
Sipas tij, një numër i madh i viktimave të abuzimeve seksuale një kohë të gjatë përjetojnë periudhë të mohimit. “Vetë kam mohuar 38 vite. Kam qenë shumë i suksesshëm në të. Kam punuar shumë. Thoja: 'Nuk ka ndikuar tek mua ajo që më ka ndodhur”' dhe vazhdoja me jetën. Më vonë u shpërbëva, gjërat shkuan keq. Dukesha si një njeri me këmbë të thyera që duhej të vraponte shpejtë”, rrëfeu ai.
Ai u bëri thirrje edhe viktimave të tjera të dhunës seksuale që të kërkojnë ndihmë. “Nuk jeni ju fajtorë për atë që ka ndodhur. Heshtja ushqen abuzimin. Nëse mposht heshtjen dhe turpin, tërë bashkësia do të ndryshojë dhe fillojë të rikuperohet”, porositi Blenkiron.
“Në këtë periudhë nuk kam mund të punoj. Humba punën, humba gjithçka. Të kërkoja më herët ndihmë, gjërat do të shkonin më ndryshe. Do të kisha punë, mund të fitoja”, tha Blenkiron.
Ai shtoi se në të ardhmen nevojitet që në rend të parë të vendosen fëmijët. “Nëse çdo bashkësi, çdo individ, pyet nëse do të jetë e mirë e ardhmja e fëmijëve, do të ndryshojmë botën”, shtoi australiani.