Ekip,Malik Hasa,Agon Fehmiu,Bekim Laci
23 Shtator 2015•Përditësim: 23 Shtator 2015
SHKUP/PRISHTINË/TIRANË/SARAJEVË/BEOGRAD/PODGORICË (AA) - Me rastin e festës së Kurban Bajramit, Bashkësitë Islame të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjes dhe Hercegovinës, shoqata të ndryshme, por edhe besimtarët organizojnë mbledhjen dhe prerjen e kurbaneve, mishi i të cilëve do t’iu shpërndahet personave me gjendje të vështirë ekonomike dhe materiale, si dhe për nevoja të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e kësaj feste, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) edhe sivjet organizon mbledhjen dhe prerjen e kurbaneve, ku mishi do t’i shpërndahet persoave me gjendje të vështirë ekonomike, si dhe për nevojat e nxënësve të Medresesë në Prishtinë. Kryesia e BIK-ut ka vendosur se çmimi i kurbanit sivjet të jetë 120 euro.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës me vendimin të cilin e ka publikuar sot, njofton se prerja e kurbaneve do të lejohet vetëm në Tregun e Bagëtisë në Kodrën e Trimave (Vranjevcë), në dalje të kryeqytetit sepse, ky është lokacioni i vetëm që i plotëson kushtet minimale për kryerjen e këtij rituali.
“Çfarëdo tentimi që prerja e kurbanit të bëhet në lokacione të tjera, si p.sh. Tregu i Gjelbër, ai i Ulpianës apo vende të tjera, do të pamundësohet dhe do të iniciohet procedura për kundërvajtje”, thuhet në njoftimin e Komunës e cila ka paralajmëruar se, zyrtarët e Drejtorisë së Inspektimit do të jenë në teren gjatë datave 21, 22 dhe 23 shtator dhe do të inspektojnë të gjitha tregjet e qytetit.
Me rastin e festës së madhe të Kurban Bajramit, Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë (BFI) edhe këtë vit, sikur vitet e kaluara, organizon mbledhjen dhe prerjen e kurbanëve, raporton AA.
Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, Agron Vojnika, mishi nga kafshët e therura do t’iu jepet medresesë Isa Beu si dhe Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup. Ai më tej shton se, mishi që do ti tejkalojë nevojat e konviktit të Medresesë, do të shpërndahet për jetimët, personat në nevojë skamnorët dhe shoqatat e ndryshme.
Këtë vit çmimi i kurbanit është 120 euro. Përveç kësaj, BFI bën edhe grumbullimin e lëkurave ndërsa paratë e mbledhura, i dedikon në organizimin dhe edukimin e brezave të rinj që mësojnë në medresenë Isa Beu.
Edhe Komuniteti Musliman i Shqipërisë (KMSH) këtë vit do realizojë shpërndarjen e mishit të Kurbanit në bazë të një grafiku, ku sipas këtij institucioni do të përfitojnë familjet në nevojë në shkallë vendi.
Çmimi i kurbanit në Shqipëri varion nga 80 euro në 130 euro. KMSH ka sqaruar se cilido që nuk ka mundësi të organizojë prerjen dhe shpërndarjen e kurbanit në mënyrë individuale, mjafton që të bëjë pagesën pranë institucionit të Komunitetit Musliman, i cili do të bëjë më pas prerjen dhe shpërndarjen e tyre, familjeve në nevojë. Çmimi i Kurbanit është 130 euro për bagëtitë e imëta.
- Në rajon çmimet e kurbanit nga 80 deri në 360 euro, por shitja është më e lartë se viteve të mëparshme -
Sipas kalendarit të bashkësisë islame, këtë vit muslimanët në Bosnjë dhe Hercegovinë ditën e parë të Kurban Bajramit do ta shënojnë të enjten, më 24 shtator. Çmimi i kurbanit në këtë vend varion nga 80 euro.
Sead Ademovic, i cili rrit dhe shet bagëti të imta në fshatin e Osijekut, pranë Sarajevës, në një intervistë me Anadolu Agency (AA), ka thënë se me rastin e Kurban Bajramit ka përgatitur një numër të madh të bagëtive të imta për therje, dhe siç thotë ai, në fund pretë t'i shesë të gjitha.
"Sivjet kam përgatitur 300 të tilla, ndërsa tashmë 250 janë shitur. Njerëzit blejnë më shumë se viteve të kaluara. Jam i kënaqur me shitjen", tregon ai.
Pëveç në BeH, edhe muslimanët në Malin e Zi janë duke bërë përgatitjet për blerjen e kurbanit para festës së Bajramit. Në gjithë territorin e Malit të Zi, çmimet e kurbanit janë afërsisht të njëjta, dhe janë në nivelin e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të blegtorëve, çmimet e kurbanit në këtë vend fillojnë nga 110 euro.
Gjithashtu, në Serbi, rajonin e Sanxhakut dhe të Luginës së Preshevës edhe këtë vit Bashkësia Islame e Serbisë (IZS) dhe Bashkësia Islame në Serbi (IZuS) kryen aktivitete të Bajramit. Këtë vit çmimi i kurbanit është 140 deri 150 euro.
Në rajonin e Sanxhakut besimtarët muslimanë për një kurban paguajnë 140 euro, ndërsa ata në Beograd ndajnë 150 euro dhe këtë shumë në përgjithësi preferojnë të paguajnë përmes Bashkësisë Islame, por ka edhe prej tyre që kanë kushte që therjen e kurbanit ta organizojnë vetë.