Stipe Mayiç
18 Nëntor 2015•Përditësim: 18 Nëntor 2015
VUKOVAR (AA) - Shënimi i përvjetorit të 24-të të rënies së Vukovarit gjatë Luftës së fundit filloi këtë mëngjes, duke mbledhur udhëheqësit shtetërorë, të kryesuar nga presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç, dhe qytetarët nga i gjithë vendi përpara spitalit të Vukovarit, raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët nga të gjitha anët e vendit, por edhe nga jashtë tij kanë udhëtuar sot drejt Vukovarit me makina, autobusë, trena, dhe transport të organizuar. Vizitorët mbajnë flamurin kroat, kurse pjesëtarët e Gardës kanë veshur uniformat ushtarake nga lufta.
Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, kryeministri, Zoran Milanoviç me anëtarët e Qeverisë dhe kryetarin e Parlamentit, Josip Leko, si dhe deputetët do të nderojnë viktimat e Vukovarit, duke vendosur kurora në përmendoren e varrezave Memoriale.
Në mbrëmje, përgjatë lumit Danub do të lëshohen me qindra qirinj të ndezur që simbolizojnë mbrojtësit e vrarë dhe të zhdukur të Vukovarit.
Presidentja kroate do të vendosë kurora edhe në memorialin e varrit masiv në Ovçari.
Në përkujtim të rënies së Vukovarit në vitin 1991, mbrëmë në të gjithë Kroacinë janë ndezur qirinj.
Beteja për mbrojtjen e Vukovarit, e cila zgjati gati tre muaj, la të vrarë rreth 2,900 deri 3,600 vetë. Vetëm sipas të dhënave të spitalit të Vukovarit, në betejën u vranë 1,624 civilë dhe pjesëtarë të ushtrisë kroate, u plagosën 1,219 njerëz.
Rrethimi zgjati gati tre muaj. Gjatë asaj kohe Vukovari u shkatërrua plotësisht, ndërsa u dëbuan të paktën 22.000 anëtarë të popullatës joserbe. Disa mijëra u dërguan në kampet dhe u paraburgosën.
Vukovari ra në duart e forcave paraushtarake serbe dhe APJ-së më 18 nëntor 1991, dhe në mënyrë paqësore është ri-integruar në vitin 1998.