Agon Fehmiu
25 Nëntor 2015•Përditësim: 25 Nëntor 2015
PRISHTINË (AA) – Me mbledhjen solemne të Këshillit Kombëtar kundër dhunës nё familje, sot në Prishtinë, është shënuar 25 nëntori – Dita Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëvendësministri i Drejtësisë dhe njëherësh koordinatori kombëtar kundër dhunës nё familje, Lirak Çelaj, theksoi se është e rëndësishme që opinioni publik në Kosovë të sensibilizohet për faktin se dhuna është fenomen jo civilizues.
“Njëkohësisht, duhet të bëhet vetëdijesimi i gjeneratave të reja për rëndësinë e kultivimit të një familje pa dhunë dhe se, me promovimin e vlerave të paqes dhe harmonisë familjare ndikohet në mbarë shoqërinë” tha Çelaj, njofton ministria e Drejtësisë.
Ai foli për punën që është duke realizuar grupi punues i përbërë nga përfaqësuesit institucionalë dhe ata të shoqërisë civile, që kanë kontribuar me përvojat e tyre nё hartimin e Programit të Kosovës kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit. Zëvendësministri i Drejtësisë Çelaj u shpreh se punëtoria në të cilën promovohet aktivizimi për eliminimin e dhunës ndaj gruas është zhvilluar në tri shtylla: parandalimin, mbrojtjen-trajtimin dhe ri-integrimin.
Aktivitetet e Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas do të vazhdojnë me hapjen zyrtare të fushatës së vetëdijesimit të quajtur “16 ditët e Aktivizimit”, me mbledhjen Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), që do të mbahet në Kuvendin e Kosovës, nën kujdesin e kryeparlamentarit Kadri Veseli. Me këtë rast, do të flasin kryeparlamentari Veseli, Alessandra Roccasalvo, zëvendës përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së dhe Blerta Deliu – Kodra, kryetare e Grupit të Grave Deputete.