Sibel Vezaj
20 Korrik 2016•Përditësim: 20 Korrik 2016
PRISHTINË (AA) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot priti në takim kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Besim Hasani. Thaçi, gjatë këtij takimi e vlerësoi si një rast historik pjesëmarrjen e Kosovës, për herë të parë në Lojërat Olimpike, në Rio de Janeiro të Brazilit, raporton Anadolu Agency (AA).
Ai vuri në dukje se për të arritur këtë sukses është bërë një punë dhe përpjekje e madhe, si nga KOK-u ashtu edhe nga sportistët. Thaçi shprehu besimin e tij se përveç se do të marrin pjesë në këto lojëra në Rio, sportistët kosovarë edhe do të kthehen si fitues dhe me medalje.
“Ne jemi shumë me shpresë, shumë optimistë dhe me besim të plotë se edhe mrekullia e fitimit të medaljeve do të ndodhë. Por, edhe vetë pjesëmarrja është një mrekulli për shtetin e Kosovës, sepse për herë të parë sportistët kosovarë do të parakalojnë sikur sportistët e të gjitha kombeve të botës, me simbole shtetërore dhe me të gjithë amblematikën e shtetit të Kosovës”, u shpreh Presidenti Thaçi.
Ai shtoi se pjesëmarrja e sportistëve kosovarë në lojëra olimpike është mesazhi i konsulidimit dhe forcimit të shtetit, të ndërkombëtarizmit, jo vetëm të sportit, por edhe shtetit të ri të Kosovës.
Thaçi tha se ky vit ka qenë vit i suksesit për sportin kosovar dhe u shpreh se si Komiteti Olimpik i Kosovës, ashtu edhe i gjithë sporti në vend do ta ketë përkrahjen e plotë nga Presidenca dhe institucionet e shtetit.
Ndërkohë, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani u shpreh se përtej medaljeve, ajo që është historike është pjesëmarrja e shtetit të Kosovës në këtë organizatë botërore.
“Kosova merr pjesë në lojëra olimpike me 8 sportistë, 2 prej tyre janë me normë olimpike, që në mënyrë automatike na radhitë në mesin e 50 shteteve më të mira, me sport më të zhvilluar. Dhe poashtu 6 sportistët e tjerë janë sportistët më të mirë që i ka Kosova, të ftuar nga dy federata përkatëse ndërkombëtare dhe nga komisioni trepalësh”, u shpreh Hasani.
Hasani potencoi se Lojërat Olimpike përveç që konsiderohen si ngjarja më e madhe sportive në botë, të njëjtat konsiderohen edhe si ngjarje më e madhe diplomatike dhe biznesit.
Në fund të fjalimit të tij, Hasani falënderoi Presidentin, institucionet shtetërore, përkrahjen e dhënë si dhe gadishmërinë për promovimin e ekipit olimpik të Kosovës.