Kübra Ağaçyetiştiren
13 Shkurt 2017•Përditësim: 13 Shkurt 2017
ANKARA (AA) - Në ditën e 174-të të operacionit "Mburoja e Eufratit" kundër objektivave terroriste në veri të Sirisë, avionë të Komandës së Forcave Ajrore të Turqisë kanë ndërmarrë operacion ndaj 51 objektivave të organizatës terroriste DEASH, gjatë të cilit janë asgjësuar 51 ndërtesa të përdorura si strehimore nga terroristët, ndërkohë që 30 pjesëtarë të DEASH-it janë neutralizuar si pasojë e gjuajtjeve nga toka dhe ajri dhe luftimeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit nga Shtatmadhoria e Turqisë, ende është duke vazhduar operacioni i nisur më 24 gusht të vitit 2016 në veri të Sirisë i cili synon mënjanimin e rrezikut të kanosur nga organizatat terroriste me në krye DEASH-in, rritjen e sigurisë kufitare dhe mbështetjen ndaj forcave të koalicionit.
Në ditën e 174-të të operacionit, Këmbësoria Turke ka ndërmarrë ofensivë ndaj 143 objektivave të organizatës terroriste DEASH, me ç'rast ka goditur strehimore, pozicione mbrojtëse, pika të kontrollit dhe komandës dhe automjete.
Ndërkaq, avionë të Komandës së Forcave Ajrore të Turqisë kanë asgjësuar 51 ndërtesa të përdorura si strehimore nga terroristët në një operacion ndaj 51 objektivave të DEASH-it. Gjatë gjuajtjeve me artileri, operacionit ajror dhe luftimeve, gjithsej 30 pjesëtarë të organizatës terroriste DEASH janë neutralizuar.