Bekim Laci
21 Dhjetor 2015•Përditësim: 22 Dhjetor 2015
SHKUP (AA) - Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka uruar sot komunitetin turk në Maqedoni me rastin e ditës së arsimit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Kultivimi i gjuhës është traditë dhe obligim i ynë. Gjuha amtare gjithmonë ka qenë një tipar i rëndësishëm i mendimit kombëtar në çdo shtet dhe krijues i shpirtit të popujve që banojnë atje. Pra, kjo ditë e rëndësishme për turqit në Maqedoni, në të njëjtën kohë është e rëndësishme edhe për vendin tonë i cili për vite të tëra paraqet një përzierje të kulturave, etnive dhe feve”- thuhet mes tjerash në urimin e kryeministrit Nikolla Gruevski.
Festa e 21 dhjetorit sipas Gruevskit, është dita që lidhet simbolikisht me mundësinë e formimit, krijimit dhe promovimit të gjuhës amtare, si një nga të drejtat themelore të njeriut.
"Vetëm në këtë mënyrë, me respekt dhe bashkëpunim të ndërsjellë do të vazhdojmë të zhvillojmë Maqedoninë si një vend të qytetarëve të barabartë", ka thënë Gruevski në urimin e tij.