Besar Ademi
25 Tetor 2016•Përditësim: 26 Tetor 2016
TETOVË (AA) – Për të pesëmbëdhjetën herë me radhë nga dita e sotme deri më 29 tetor të këtij viti, do të jetë i hapur Panairi i Librit shqip “Tetova 2016”, i cili organizohet nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë të Maqedonisë, ndërsa do të marrin pjesë rreth 40 shtëpi botuese nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Abdulmexhit Saliu, theksoi se qëllimi i Panairit të Librit shqip është që të tërheq vëmendjen ndaj kulturës së leximit, ndërsa shtoi se tryezat e përbashkëta, diskutimet dhe trajtimi i problematikave me të cilat përballen çdo ditë shtëpitë botuese, përbëjnë një potencial efikas për avancimin cilësor të panaireve në të ardhmen.
“Ky panair është fryt i punës, sakrificave, bashkëpunimit dhe misionit tonë të përbashkët, që na lidh fortë dhe na mban të bashkuar, e ajo është gjuha dhe letërsia jonë shqipe. Panairi, një traditë tashmë e konsoliduar, nuk është vetëm një promovim i librave dhe autorëve, por është realiteti ynë i përbashkët kulturor”, u shpreh Saliu.
Ai shtoi se pjesëmarrja e shtëpive botuese nga të gjitha trojet shqiptare të rajonit, si dhe nga diaspora, jo vetëm që promovojnë libra dhe autorë, por edhe përforcojnë komunikimin kulturor ndër-shqiptar.
Kryetare e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se këto lloje të aktiviteteve dëshmojnë entuziazmin e madh në këtë fushë, i cili njëkohësisht sipas saj kërkon mbështetje institucionale, gjë e cila i bën ata më të qëndrueshëm.
“Ne si autoritete komunale kemi pasur parimin që të mbështesim ato aktivitete të cilat janë mirëmbajtur dhe kanë mbajtur veten e tyre fal entuziazmit dhe punës të të gjithëve që kanë punuar në këto organizime”, u shpreh Arifi.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë të Maqedonisë u themelua në vitin 2000 me seli në Shkup. Që nga themelimi i saj, ajo ka ngritur iniciativa qytetare për avancimin e kulturës dhe botimeve në gjuhën shqipe. Kjo shoqatë ka marrë pjesë në dhjetëra panaire vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa në vazhdimësi organizon panaire rajonale të librit në Tetovë, Shkup dhe Strugë.