Sibel Vezaj
15 Gusht 2016•Përditësim: 16 Gusht 2016
PRISHTINË (AA)- Dje në fshatin Veleknicë të Gjilanit është dëmtuar minarja e një xhamie, ku sipas policisë ky dëmtim është bërë nga një pjesëtar i komunitetit serb, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për AA se ky incident ka ndodhur dje, ku një qytetar i komunitetit serb në fshatin Veleknicë, ishte ngjitur në minare dhe kishte filluar që ta dëmtonte kupolën e xhamisë, e cila kishte formë të shqiponjës.
“Njësitet policore kanë shkuar ne vendin e ngjarjes si dhe zjarrfikësit dhe ndihma e parë. Rreth një orë është negociuar me te dyshuarin i cili nuk ka përfillur urdhrat e policisë dhe ka vazhduar me rrënimin e minares, derisa ka shkuar Njësiti i reagimit të shpejtë duke arrestuar të dyshuarin, i cili me urdhër të prokurorit u dërgua në paraburgim 48 orë”, bëri të ditur Hashani.
Hashani shtoi se policia nuk dëshiron të paragjykojë se ky akt ka një motiv etnik apo fetar, duke bërë të ditur se, në bazë të dokumentacionit të mjekëve personi i cili ka bërë këtë akt është përdorues i lëndëve narkotike.
Duke iu përgjigjur pyetjes se si është hyrë në xhami, zëdhënësi Hashani u shpreh se në përgjithësi në fshatrat xhamitë nuk mbyllen.
Ndërkohë në një njoftim nga Komuna Gjilanit, theksohet se kryetari i komunës Lutfi Haziri e ka dënuar ashpër këtë ngjarje, duke theksuar se nuk i shërben aspak klimës së krijuar për shumë vite në sigurinë publike të Gjilanit.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i Partisë Fjala dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Gëzim Kelmendi, i cili dënoi këtë akt, duke e theksuar se sulmet mbi objektet fetare, janë të papranueshme për shoqërinë kosovare.