IDLIB (AA) - Në zonën jokonfliktuale Idlib ku Forcat e Armatosura Turke (TSK) do të transferohen në kuadër të marrëveshjeve të Astana-s, po rriten shpresat e njerëzve për një jetë të sigurtë, raporton Anadolu Agency (AA).
Civilët nga rajoni Daret Izze, në rajonin periferik perëndimor të Halepit i cili ndodhet në zonën jokonfliktuale, kanë folur për AA rreth transferimit që TSK do të bëjë për të ngritur pika vëzhgimi me qëllim ndjekjen e armëpushimit të regjimit rajon.
Drejtori i spitalit Kinan në rajon Muhammed Abbas, ka deklaruar se "TSK me siguri ka bërë të gjitha përgatitjet përpara hyrjes në territorin tonë. Ne dëshirojmë që ushtria turke të hyjë në heshtje dhe pa konflikt".
Duke theksuar se ata e dinin që ushtria turke do të kryente transferimin në kuadrin e marrëveshjes për zonat jokonfliktuale të arritur në Astana, 45 vjeçari Abbas tha se bashkë me transferimin konfliktet do të përfundojnë.
"Territori ynë ka një pozicion të ndryshëm. Nga njëra anë ne përballemi me separatistët e PKK-së, dhe nga ana tjetër me forcat e regjimit. Ne jemi duke u sulmuar vazhdimisht nga regjimi. Nëse hyn TSK, sulmet dhe konfliktet do të përfundojnë", ka shtuar më tej Abbas.
Ndërsa edhe 18 vjeçari Agit Reshit është shprehur se bashkë me hyrjen e TSK-së në Idlib do të përfundojnë sulmet që regjimi ndërmerr në rajon dhe problemet e sigurisë. "Gjëja më e rëndësishme për ne është që avionët të mos fluturojnë mbi kokat tona. Siç e vëreni dhe ju dëshira jonë e vetme është që të mos ketë shkatërrime dhe vdekje. Nëse ushtria turke nuk hyn në Idlib konfliktet dhe vdekjet do të vazhdojnë. Avionët do të jenë gjithmonë në ajër dhe shtëpitë do të shemben", ka theksuar Reshit.
"Jeta do të kthehet në normalitet"
Gjithashtu edhe 48 vjeçari Xhemil Dervish tha se "bashkë me transferimin do të riaktivizohen institucionet jofunksionale. Spitalet, shkolla do të kryejnë punën e tyre në mënyrë të rregullt dhe të sigurtë".
Pasi ka vënë në dukje se ushtrinë turke do ta presin me dashuri, Dervish theksoi "Ushtria turke do ta ndryshojë jetën tonë 180 gradë. Ne do të rifitojmë jetën tonë të përditshme në mënyrë normale. Jeta do të normalizohet".
Ndërsa punonjësi shëndetësisë 21 vjeçari Abbud Hulu pasi ka bërë të ditur se do të ketë ndryshime pozitive në jetën e përditshme me hyrjen e TSK-së në Idlib, ka theksuar se "Çdo gjë do të jetë më mirë, jeta do të jetë më e mirë. Njerëzit do të flenë të qetë dhe nuk do të ketë sulme. Do të jenë të pranishme produktet ushqimore, arsimi, shkollat dhe gjithçka".
"Nëse ushtria turke nuk do të hyjë avionët do të sulmojnë sërish, bombardimet do të vazhdojnë. Pa praninë e ushtrisë turke konfliktet do të vazhdojnë në cepin tjetër të qytetit. Vëmendja e PKK-së është në malin Shejh Bereket. Ky mal vëren të gjithë Idlibin. Jemi kundër hyrjes së PKK-së", tha Hulu.
"Njerëzit që kanë migruar do të kthehen në shtëpitë e tyre"
Ndërkohë, 22 vjeçar Muhammed Mustafa është shprehur se "me ardhjen e TSK-së presim që të rikthehet jeta jonë normale, rihapjen e shkollave dhe universiteteve".
Duke bërë të ditur se me vendosjen e elementëve të TSK-së në pika të përcaktuara të Idlibit këshillat lokalë do të kryejnë detyrat e tyre, Mustafa deklaroi se "Përveç bombardimeve do të përfundojë edhe migrimi. Njerëzit që kanë migruar do të kthehen në shtëpitë e tyre. Ne këtë po presim".
Më tej duke tërhequr vëmendjen ndaj kërcënimit të organizatës terroriste PKK/PYD, Mustafa ka bërë vlerësimin se "Do të ketë bombardime sërish nëse terroristët do të vijnë në rajonin tonë. Gjithashtu njerëzit do të migrojnë dhe shtëpitë do të shemben. Objektivi më i madh i PKK-së është që të vendoset në malin Bereket, dhe që nga aty të përhapet në të gjithë Idlibin. Presim që kjo të parandalohet".
"Do të parandalohet edhe përhapja e PKK-së në Idlib"
Një tjetër banore, Yahya Lule, në moshën 49 vjeçare ka theksuar: "Me ardhjen e ushtrisë turke nuk do të ketë ndryshim vetëm në Idlib, por do të rigjallërohen të gjitha rajonet ku ushtria turke do të hyjë. Do të jenë aktive të gjitha fushat, ndërsa shëndetësia dhe arsimi do të rigjallërohen. Ne do të jemi të lumtur, sepse që prej 7 vitesh jemi përballur me sulme. Shpresojmë që forcat e ushtrisë turke të transferohen dhe njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre, të sigurohet paqja dhe siguria. Kemi një dëshirë dhe ajo është transferimi i TSK-së në Idlib dhe të jetë shpëtimtari i popullit".
Në lidhje me veprimet e PKK/PYD-në në Idlib, Lule ka tërhequr vëmendjen se: "Edhe harta e Kurdistanit arrin në Mesdhe. Për të realizuar këtë objektiv planifikojnë që së pari të marrin nën kontroll malin Bereket dhe së dyti rajonin Daret Izze. Me marrjen e këtij mali rajoni dhe zonat periferike të Idlibit kalojnë nën kontrollin e PKK-së. Me ardhjen e ushtrisë turke do të pengohet përhapja e PKK-së në Idlib. Këto janë forcuar më shumë se ne me mbështetjen që kanë marrë nga Izraeli apo SHBA-të. Ata kryejnë tortura dhe shkelje të të drejtave të njeriut në zonat që ata kontrollojnë. Ata kryejnë krime si marrje në pyetje pa asnjë arsye, apo prerje në fyt me thika".
Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) në kuadër të marrëveshjes së arritur me Rusinë dhe Iranin në Astana që janë garantuesit e tjerë të armëpushimit në Siri do të transferohen në rajonin jokonfliktual të Idlibit.
Në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit zona jokonfliktuale e Idlibit përfshin qytetin Idlib dhe pjesë të caktuara të rajoneve fqinj Halep, Latakia dhe Hama.
Me transferimin e elementëve ushtarake turke qëllimi është rritja e efektivitetit të armëpushimit midis regjimit dhe opozitarëve, për t'i dhënë fund konflikteve, për të ofruar ndihmë humanitare, për të siguruar kushte të përshtatshme për kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre dhe për të krijuar kushte të favorshme për një zgjidhje paqësore të krizës.
news_share_descriptionsubscription_contact
