Övünç Kutlu,Büşranur Begçecanlı
12 Dhjetor 2019•Përditësim: 13 Dhjetor 2019
Vlera e kompanisë kombëtare saudite të naftës, Aramco ka tejkaluar shifrën e 2 trilionë dollarëve në ditën e dytë të tregtisë publike në bursën saudite Tadawul, raporton Anadolu Agency (AA).
Oferta fillestare publike për Aramco-n të enjten e kaluar përfundoi me një çmim të aksionit të ofertës përfundimtare prej 32 rialë sauditë (8,53 dollarë), duke siguruar vlerën e tregut të kompanisë në 1,7 trilionë dollarë.
Të mërkurën, kur Aramco filloi të tregtohej publikisht për herë të parë në Tadawul, çmimi i aksionit të tij menjëherë u rrit me 10 për qind për t'u ndalur në 35,2 rialë sauditë (9,39 dollarë), që ngriti vlerën e tregut të kompanisë në rreth 1,87 trilionë dollarë.
Aksionet e Aramco-s u rritën edhe me 9,9 për qind të enjten, duke shkuar në 38,7 rialë sauditë (10,32 dollarë), duke e rritur kapitalizimin e tregut të firmës në 2,05 trilionë dollarë, sipas shifrave të Tadawul.
Me këtë rezultat, vlera e kompanisë arriti në 2 trilionë dollarë, që u vendos si qëllim nga Princi i Kurorës Saudite, Mohammad bin Salman, në vitin 2016 kur ai për herë të parë prezantoi idenë e ofertës fillestare publike për Aramco-n, si pjesë të planit të tij "Vizioni 2030". Plani ka për qëllim të zvogëlojë varësinë e mbretërisë nga sektori i naftës dhe të grumbullojë kapital për industri të tjera.
Ministri i Energjisë i Arabisë Saudite, princi Abdulaziz bin Salman, javën e kaluar në përfundim të takimit të OPEC-ut tha se pret që kapitalizimi i tregut i Aramco-s së shpejti të tejkalojë vlerën prej mbi 2 trilionë dollarë.
Aramco prodhon 1/8 e naftës në botë. Të ardhurat e saj neto tejkaluan të ardhurat kolektive të nëntë korporatave të naftës: ExxonMobil, Chevron, ConocoPhillips, BP, Royal Dutch Shell, Total, Eni, Equinor, Rosneft në vitin 2018 dhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2019.
Të ardhurat e saj neto arritën në 111.1 miliardë dollarë në vitin 2018 dhe 46.9 miliardë dollarë gjatë gjysmës së parë të këtij viti.