Ekip
15 Janar 2021•Përditësim: 15 Janar 2021
Qeveria e Venezuelës po mirëpret investimet e huaja në sektorin e naftës së vendit si pjesë e synimit të presidentit Nicolas Maduro për rritjen e prodhimit të naftës në 1,5 milion fuçi në ditë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Maduro manifestoi synimin e tij për sjelljen e investimeve të huaja në sektorin e naftës në fjalimin e tij vjetor të përgjegjësisë këtë javë.
Strategjia e presidentit Maduro për rritjen e prodhimit të naftës së pari u njoftua në muajin tetor, kur ai prezantoi një pjesë të re të legjislacionit të quajtur "ligji anti-bllokim". Ligji që më 8 tetor u miratua nga Asambleja Kushtetuese e Venezuelës përfshin dhënien e disa kompetencave të jashtëzakonshme presidentit në çështjet që lidhen me politikën ekonomike.
Legjislacioni hap derën për privatizimin e prodhuesit shtetëror të naftës së Venezuelës PDVSA duke modifikuar ligjet e vendit në lidhje me ndërmarrjet e përbashkëta në fushat e naftës venezuelase.
Aktualisht, investimet e huaja në sektorin e naftës së vendit mbulojnë 49 për qind të investimeve në secilin projekt të ri të naftës. Por sipas propozimit të ri, kompanitë e huaja tani mund të menaxhojnë dhe madje të zotërojnë plotësisht sektorin, duke rezultuar në privatizimin e tij.
Ligji anti-bllokim po ashtu do të lejojë tregtinë e lirë të mallrave strategjike, veçanërisht karburanteve të cilat do të jenë të dobishme për ekonominë e Venezuelës, pasi vendi ka përjetuar mungesa kronike të karburantit për shkak të keqmenaxhimit të sektorit të naftës nga Maduro, si dhe nga sanksionet energjetike të SHBA-ve ndaj PDVSA-së.
Prodhimi i naftës është në nivelin më të ulër që nga viti 1940. Sipas shifrave të fundit të Organizatës së Shteteve Ekportuese të Naftës (OPEC), vendi mesatarisht në vitin 2020 prodhoi afërsisht 550 mijë fuçi në ditë, pak më shumë se një milion fuçi në ditë në vitin 2019.
Njoftimi i Venezuelës vjen në një moment kur tregu i energjisë duket se po fiton vrull, pasi në dy javët e fundit çmimet e naftës së papërpunuar Brent janë rritur për 7 për qind në mbi 55 dollarë për fuçi.