Tuba Şahin
10 Dhjetor 2020•Përditësim: 10 Dhjetor 2020
Ministri i Industrisë dhe Teknologjisë i Turqisë, Mustafa Varank, ka bërë të ditur se vendi i tij ka ngritur Qendrën për Rrjetin e Katërt të Revolucionit Industrial për të menaxhuar transformimin dixhital me ndihmën e bashkëpunimit ndërkombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri Varank përmes video-lidhjes foli në ceremoninë e hapjes së qendrës së vendosur në Stamboll.
"Bashkëpunimi i fortë ndërkombëtar është jetik për rritjen e avantazhit konkurrues të transformimit dixhital. Qendra e Turqisë për Rrjetin e Katërt të Revolucionit Industrial do të luajë një rol kryesor në këtë", tha Varank.
Varank njoftoi se qendra do të zhvillojë studime të politikave dhe projekte për të përshpejtuar transformimin dixhital, veçanërisht në fushën e industrisë, si dhe në bashkëpunimin me institucione publike dhe private, akademikë dhe organizata joqeveritare.
Duke treguar se Turqia këtë janar u anëtarësua në Rrjetin e Qendrës për Revolucionin e Katërt Industrial (C4IR) të Rrjetit të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), Varank tha se qendra është njëra nga dy qendrat në Evropë dhe gjithsej nëntë qendrat në gjithë botën.
Rrjeti C4IR synon të përshpejtojë hulumtimin shkencor dhe teknologjik.
Varank tha se Turqia është vendosur të përcaktojë parimet themelore për përdorimin etik të intelegjencës artificiale përveç kryerjes së studimeve për përdorimin korrekt dhe në kohë të të dhënave industriale.
Duke iu referuar një programi të bursave të financuar nga qeveria, i nisur në dhjetor të vitit 2018, Varank tha se vendi i tij pret të tërheqë të paktën 100 studiues të shquar me një thirrje të re që do të lëshohet vitin e ardhshëm.
"Studiuesit e sapoardhur do të marrin pjesë në përpjekjet e Turqisë në zona kritike që krijojnë një ndryshim. Ne jemi të vendosur ta bëjmë Turqinë një nga vendet që përcaktojnë tendencat e revolucionit të katërt industrial", theksoi ministri turk.