Aysu Biçer
11 Dhjetor 2020•Përditësim: 11 Dhjetor 2020
Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Luigi Di Maio, ka deklaruar se Turqia ka mundësi të mëdha për bashkëpunim ekonomik në infrastrukturë, duke shtuar se në muajt e ardhshëm ai shpreson për më shumë bashkëpunim në hekurudha dhe fushat e tjera, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Të dy vendet po ashtu kanë synime në sektorin e energjisë, veçanërisht në diversifikimin e energjisë dhe përmirësimin e furnizimit", tha Di Maio në një takim përmes video-lidhjes të Komitetit të Përbashkët Ekonomik të Tregtisë Turqi-Itali (JETCO).
Duke folur për projekte të rëndësishme, ai tha se Turqia dhe Italia duan të rrisin aleancën e tyre të biznesit në energji të qëndrueshme.
"Kompanitë italianë janë veçanërisht aktive në fushën e energjisë së rinovueshme", u shpreh ai.
Duke theksuar se sistemet e të dy vendeve plotësojnë njëri-tjetrin, Di Maio tha se, "Shpresojmë që ky plotësim të vazhdojë. Mendoj se mund të përdorim potencialin e kësaj forme të partneritetit në një mënyrë edhe më të fortë".
Në lidhje me aktivitetet e tre grupeve të punës nën komitetit që filluan në muajin korrik, Di Maio tha se këto grupe po punojnë në fusha të tilla si përcaktimi i zonave të zhvillimit ekonomik, hapja e rrugës për operacione të reja në Afrikë, Azinë Qendrore dhe Ballkan, si dhe përparimi në marrëveshjen e Unionit Doganor Turqi-Bashkimi Evropian (BE).
Turqia prej kohësh ka kërkuar një azhurnim të Unionit Doganor, duke theksuar se nga kjo do të përfitonin të dy palët.
"Ka mundësi të rëndësishme për sipërmarrësit në fushën e bashkëpunimit ekonomik. Zhvillimi i bashkëpunimit dypalësh është i rëndësishëm për rritjen e ekonomive tona", tha Di Maio.
Duke theksuar se pengesat ekzistuese të hyrjes në treg duhet të eliminohen për këtë, Di Maio argumentoi se zhvillimi teknik i marrëveshjes së Unionit Doganor është jashtëzakonisht i rëndësishëm.