Riyaz Khaliq
15 Tetor 2020•Përditësim: 15 Tetor 2020
Singapori dhe Hong Kongu janë pajtuar të rihapin udhëtimin ajror pa ndonjë nevojë që udhëtarët të karantinohen si masë kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raportojnë mediat lokale, ministri i Transportit të Singaporit, Ong Ye Kung tha se marrëveshje me Hong Kongun "vendosi modelin për më shumë partneritet për të ringjallur udhëtimet ajrore".
Këtë veprim, ai e quajti si "një hap të vogël, por domethënës për të dy qendrat e aviacionit".
Udhëtarët ajrorë do të duhet t'u nënshtrohen testeve para se të udhëtojnë brenda dhe jashtë dy destinacioneve.
Ministri Ye Kung tha se të dy destinacionet "përbëjnë rrezik të ulët të transmetimit të virusit COVID-19".
Por, akoma nuk është finalizuar ndonjë datë për rifillimin e operacioneve të udhëtimit ajror.
Singapori ka arritur marrëveshje të udhëtimit ajror me të paktën 10 vende dhe rajone, përfshirë Kinën, Malajzinë, Zelandën e Re, Brunein, si dhe Australinë përveç në shtetin Victoria dhe Vietnam.
Hong Kongu ka raportuar mbi 5.200 raste të koronavirusit, përfshirë 105 vdekje ndërsa Singapori ka raportuar 57.889 raste, kryesisht midis punonjësve migrantë, përfshirë 28 viktima.