Ekonomi

"Rritja ekonomike në Shqipëri do të vijojë”

Sejko, duke folur për politikën monetare u ndal edhe në zhvillimet kryesore në lidhje me ekonominë, punësimin dhe inflacionin, ndërsa theksoi se konsumi dhe investimet private kanë vijuar të rriten

Fatjon Cuka   | 07.08.2019
"Rritja ekonomike në Shqipëri do të vijojë” ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Rritja ekonomike do të vijojë të mbetet në territor pozitiv në afatin e mesëm në Shqipëri, ndërsa rënia e prodhimit të energjisë elektrike do të sjellë një ngadalësim të përkohshëm të rritjes gjatë vitit 2019, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një konference për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Sejko, duke folur për politikën monetare u ndal edhe në zhvillimet kryesore në lidhje me ekonominë, punësimin dhe inflacionin, ndërsa theksoi se konsumi dhe investimet private kanë vijuar të rriten.

"Sipas të dhënave të INSTAT-it(Instituti i Statistikave të Shqipërisë), ekonomia shqiptare u rrit me 2.2 për qind gjatë tremujorit të parë. Kjo ecuri pasqyron një ngadalësim të ndjeshëm të ritmit të rritjes, si në krahasim me tremujorin paraardhës ashtu dhe në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë", tha Sejko.

Sipas tij, luhatjet e prodhimit të energjisë kanë krijuar luhatje të shtuara në ritmin e rritjes ekonomike gjatë tre viteve të fundit.

"Ndonëse nuk janë favorizuar nga klima e tensionuar politike, konsumi dhe investimet private janë zgjeruar në përgjigje të rritjes së të ardhurave të disponueshme, të nevojës për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, si dhe të kushteve të favorshme të financimit", u shpreh më tej Sejko.

Ai ka përsëritur për vijimin e reformave strukturore, të cilat sipas Sejkos kanë qenë dhe mbeten instrumenti kryesor i përshpejtimit të ritmit të rritjes ekonomikë dhe integrimit në Bashkimin Evropian(BE).

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın