Riyaz Ul Khaliq
26 nëntor 2020•Përditësim: 27 nëntor 2020
Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Koresë së Jugut zhvilluan sot një takim ku diskutuan për çështjet e tregtisë, sigurisë dhe ato detare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjatë vizitës së nivelit të lartë në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi në takimin e tij me homologun e Koresë së Jugut, Kang Kyung-wha shtyu përpara "lidhjen e Nismës së Rripit dhe Rrugës (BRI) me zhvillimin e Koresë së Jugut", raportoi e përditshmja kineze "Global Times".
Të dyja palët diskutuan gjithashtu mënyrat për të "arritur marrëveshje mbi fazën e dytë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kinë-Kore e Jugut".
BRI është një projekt gjigant zhvillimor i iniciuar nga presidenti kinez, Xi Jinping i cili mbulon dhjetëra vende përmes rrugëve, lidhjeve hekurudhore dhe projekteve të tjera zhvillimore dhe investimeve.
Vizita e Wang në Seul vjen pas udhëtimit të tij në Japoni në fillim të kësaj jave për të diskutuar mbi çështjet rajonale me homologun e tij japonez.
Koreja e Jugut dhe Japonia janë aleatë të ngushtë të SHBA-së në Lindjen e largët. Shkëmbimet e nivelit të lartë të vizitave erdhën midis marrëdhënieve të tensionuara dypalëshe midis Washingtonit dhe Pekinit.
Kina dhe Koreja e Jugut arritën një konsensus prej 10 pikash ku ranë dakord të "forcojnë bashkëpunimin anti-virus, të përmirësojnë dhe zgjerojnë aranzhimet e 'linjës së shpejtë' dhe të punojnë me Japoninë për të promovuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë Kinë-Kore e Jugut-Japoni".
"Vizita ime në Korenë e Jugut kur situata me COVID-19 ende nuk ka marrë fund ka për qëllim të tregojë rëndësinë që i kushtojmë marrëdhënieve Kinë-Kore e Jugut përmes veprave aktuale dhe për të treguar besimin se Koreja e Jugut mund të mbizotërojë në luftën e saj mbi COVID-19", tha Wang, njoftoi agjencia koreanojugore "Yonhap News".
Diplomati i lartë i Koresë së Jugut, Kang Kyung-wha tha se vizita e Wang tregon "bashkëpunim të ngushtë midis ministrive të jashtme të të dyja vendeve".
"Para shënimit të 30-vjetorit në vitin 2022, të vendosjes së lidhjeve dypalëshe, shpresoj për një shkëmbim mendimesh për zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik midis dy vendeve", tha Kang.
Seuli gjithashtu është duke u përpjekur për organizimin e një samiti midis udhëheqësve të Koresë së Jugut, Kinës dhe Japonisë përpara fundit të këtij viti.
"Kina dhe Koreja e Jugut kanë qenë në komunikim të ngushtë rreth bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë shkëmbime të nivelit të lartë", tha Wang për mundësinë e vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping në Korenë e Jugut.