Ebru Şengül Cevrioğlu
19 Nëntor 2020•Përditësim: 19 Nëntor 2020
Ministri i Ekonomisë Kombëtare të Kazakistanit, Ruslan Dalenov tha se pritet që vendi të prodhojë 86 milionë ton naftë vitin e ardhshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në Senatin e Kazakistanit rreth parashikimeve mbi zhvillimin socio-ekonomik të vendit midis viteve 2021-2025, ministri kazak tha se ky vëllim prodhues pritet të arrijë në 100.7 milionë deri në vitin 2025.
"Ne presim rritje pozitive në sektorët kryesorë të ekonomisë. Sektori i prodhimit do të rritet me shpejtësi me një rritje prej 6.7 për qind, një rritje vjetore prej 6.2 për qind në bujqësi dhe 5.5 për qind në tregti", shtoi Dalenov.
Sipas tij, eksportet parashikohet të jenë rreth 41.4 miliardë dollarë në vitin 2021 ndërsa kjo shumë pritet të arrijë në 51.5 miliardë dollarë në 2025.
"Ndërkohë sektori i importit do të rritet në 37.8 miliardë dollarë në 5 vitet e ardhshme nga 36.3 miliardë dollarë", tha ai, duke shtuar se prodhimi i brendshëm bruto i Kazakistanit do të shënojë rritje prej 4 për qind në të njëjtën periudhë ndërsa kjo rritje pritet të arrijë 4.6 për qind në vitin 2025.