Islam Uddin
06 Tetor 2020•Përditësim: 06 Tetor 2020
Japonia dhe Koreja e Jugut njoftuan rinisjen e udhëtimeve të biznesit nga dita e enjte pas rënies së rasteve të koronavirusit të ri (COVID-19) në rajon, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë japoneze të lajmeve Kyodo, fillimisht në të dy vendet do të lejohen të hyjnë të huajtë dhe personat me viza afatgjata si dhe udhëtarët afatshkutër të biznesit, me kusht që të kenë test negativ për COVID-19.
Marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve gjatë vitit të kaluar ishin në nivelin më të ulët historik pasi një gjykatë e Koresë së Jugut u kërkoi kompanive japoneze që të paguajnë kompensim për viktimat e punës së detyruar gjatë sundimit kolonial të Japonisë mbi Gadishullin Korean.
Duke refuzuar vendimin, Japonia tha se një marrëveshje e vitit 1965 midis dy vendeve i dha fund kësaj çështjeje.
Vitin e kaluar, Japonia kufizoi eksportet e pajisjeve industriale vitale në Korenë e Jugut, duke prekur industrinë e teknologjisë së vendit.
Më 24 shtator, raporton Kyodo, kryeministri i sapoemëruar japonez, Yoshihide Suga dhe presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, ranë dakord për të përshpejtuar negociatat për një marrëveshje të hershme për të rinisur udhëtimet e biznesit.
Japonia në muajin shkurt vendosi kufizime të rrepta pas shpërthimit të koronavirusit në vend dhe ndaloi hyrjen e shtetasve të huaj.
Gjithsej 24.239 raste të koronavirusit janë raportuar në Korenë e Jugut, përfshirë 148 raste të reja të raportuara gjatë 24 orëve të fundit. Deri më tani në këtë vend 422 persona kanë vdekur nga virusi dhe 22.083 janë shëruar.
Ndërkohë, Japonia deri më tani ka raportuar 86.027 raste të koronavirusit, përfshirë 1.602 viktima dhe 78.071 të shëruar.