Iqbal Musyaffa
15 Tetor 2020•Përditësim: 16 Tetor 2020
Indonezia ka regjistruar suficit tregtar për të pestin muaj radhazi në shtator, teksa eksportet u ngjitën 6.97 për qind nga muaji në muaj në 14.01 miliardë dollarë, bëri të ditur sot Byroja Qendrore e Statistikave (BPS), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas kreut të BPS, Suhariyanto eksportet e naftës dhe gazit u rritën me 17.43 për qind në 700 milionë dollarë ndërsa eksportet jo të naftës dhe gazit u rritën me 6.47 për qind në 13.31 miliardë dollarë, duke kontribuar për një tepricë tregtare prej 2.44 miliardë dollarë.
Eksportet në shtator kanë qenë 0.51 për qind më të ulëta se 14.08 miliardë dollarë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar për shkak të një rënie vjetore prej 12.44 për qind të eksporteve të naftës dhe gazit ndërsa eksportet jo të naftës dhe gazit u rritën me 0.21 për qind nga viti në vit.
Suhariyanto tha se eksportet e bujqësisë u rritën gjithashtu me 20.84 për qind nga gushti, me më shumë shitje të perimeve, frutave, kafesë, specave dhe karkalecave të detit.
Eksportet e produkteve bujqësore u rritën me 16.22 për qind nga viti në vit, falë një rritjeje në eksportet e folesë së zogjve, karkalecave, perimeve, karafilit dhe piperit të zi.
Eksportet e mallrave të prodhuara po ashtu u rritën me 7.37 për qind nga muaji në muaj dhe 6.61 për qind nga viti në vit.
"Rritja e eksporteve nga muaji në muaj të mallrave të prodhuara u nxit nga eksportet e çelikut, vajit të palmës dhe automjeteve të motorizuara", tha zyrtari në një konferencë online për media.
Eksportet e produkteve minerare kanë rënë me 4.1 për qind muaj në muaj dhe 35.97 për qind në vit për shkak të një rënie në eksportet e qymyrit dhe mineraleve të hekurit.