Ekip
01 Nëntor 2022•Përditësim: 02 Nëntor 2022
Sindikatat në kompaninë franceze të furnizimit me gaz ‘GRDF’ dhe operatorin e energjisë elektrike ‘Enedis’ kanë njoftuar grevë derisa vazhdojnë negociatat për paga më të mira, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së industrisë në sektorin e energjisë më 18 tetor, tani u mbetet kompanive të negociojnë masat e brendshme për të kompensuar inflacionin.
Grevat përfunduan në kompaninë energjetike ‘EDF’ të zotëruar nga shteti francez pasi u arrit një marrëveshje me sindikatat.
Megjithatë, negociatat kanë ngecur në kompaninë ‘GRDF’, ku sindikatat kanë bërë thirrje për një grevë njëditore për nesër në margjinat e një takimi të ri negociatash.
Gjithashtu edhe në kompaninë ‘Enedis’ negociatat siç duket nuk po përparojnë, pasi disa sindikata të përfshira bënë thirrje për një grevë njëditore për të enjten.
“Për të ndikuar në negociata, ne të gjithë po mobilizohemi më 3 nëntor”, shkruan në fletushka sindikatat e përfshira në negociatat me kompaninë ‘Enedis’.