Michael Gabriel Hernandez
20 shkurt 2021•Përditësim: 20 shkurt 2021
Platforma e rrjeteve sociale Facebook u përball me kritika të shumta ku bëhej thirrje për bojkot, pasi bllokoi të gjitha përmbajtjet e lajmeve në Australi për shkak të një mosmarrëveshjeje ligjore me qeverinë e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas New York Post, reagimi u rrit dje kur togfjalëshit siç janë "Fshije Facebook-un" (Delete Facebook), "Bojkoto Zuckerberg-un" (Boycott Zuckerberg) morën hov në rrjetet tjera sociale.
Facebook të mërkurën ua bllokoi përdoruesve në Australi që të shikojnë ose të shpërndajnë përmbajtjet e lajmeve pasi Australia miratoi ligjin e ri sipas së cilit kompanitë e rrjeteve sociale duhet të ndajnë me botuesit të ardhurat nga reklamat që grumbullojnë nga lajmet.
"Ligji i propozuar keqkupton në mënyrë thelbësore marrëdhëniet midis platformës sonë dhe botuesve që e përdorin atë për të ndarë përmbajtjen e lajmeve", tha William Easton, kreu i Facebook-ut për Australi dhe Zelandë të Re.
“Ligji na ka lënë të përballemi me një zgjedhje të zymtë: Të përpiqemi të pajtohemi me një ligj që injoron realitetet e kësaj marrëdhënieje, ose të ndalojmë përmbajtjet e lajmeve në shërbimet tona në Australi. Me një zemër të rëndë, ne po zgjedhim këtë të fundit”, shtoi ai.
Qeveria australiane i është përgjigjur veprimit të kompanisë Facebook me një zotim se nuk do të tërheqë ligjin.
Ministri i Komunikimit, Paul Fletcher, tha se qeveria do të çojë përpara planin për të zbatuar rregullat e pagesës për gjigandët e teknologjisë, i cili u njoftua për herë të parë prillin e kaluar.
"Facebook duhet ta mendojë me shumë kujdes se çfarë do të thotë kjo për reputacionin dhe pozicionin e tij", tha ai për transmetuesit publik ABC News.
Fshirja e artikujve të lajmeve nga Facebook gjithashtu bëri që disa faqe të fshihen gabimisht, sipas New York Post. Kështu, u fshinë gabimisht faqja e Fondacionit të Imunizimit të Australisë, një grup që kërkon imunizim më të madh tek foshnjat, si dhe faqet e 4 agjencive shëndetësore në Australi.
U hoqën edhe media që kanë emra të ngjashëm me mediat australiane, siç është faqja e medias britanike "Daily Telegraph".
Matt Stoller, drejtori i programit të studimeve në Projektin Amerikan të Lirive Ekonomike, kritikoi ashpër veprimet e Facebook-ut, duke e quajtur atë një "kërcënim për demokracitë në të gjithë botën".
"Australia ishte vendi i parë që vuajti nga zemërimi i qartë i këtij monopolisti, por çdo vend tjetër mund të jetë i radhës", tha Stoller në një deklaratë.
"Në dritën e zgjedhjes së Facebook-ut për të shkatërruar shpërndarjen e lajmeve në Australi, tani është koha që politikëbërësit diku tjetër të njohin emergjencën e autoritarizmit të kompanive të mëdha teknologjike dhe të veprojnë në bashkëpunim me shkallën e kërcënimit. Kompanitë e mëdha teknologjike duhet rregulluar sa më shpejt të jetë e mundur", shtoi ai.