Ekip
20 shkurt 2021•Përditësim: 21 shkurt 2021
Takimi midis SHBA-së, Iranit dhe palëve të tjera të marrëveshjes bërthamore është "i mundur", tha një zyrtar i BE-së, raporton Anadolu Agency (AA).
"Megjithatë, nuk ka ende një datë", tha Peter Stano, zëdhënësi i Komisionit Evropian për punët e jashtme, në një konferencë të përditshme shtypi.
Stano tha se shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell "është angazhuar maksimalisht për rikthimin e JCPOA-së në rrugën e duhur që përfshin kthimin e Iranit në përputhje të plotë, si dhe shikon mundësitë për të kthyer Shtetet e Bashkuara në tryezë".
Zëdhënësi gjithashtu siguroi se BE-ja është "e përgatitur të thërrasë bisedime joformale" midis palëve të marrëveshjes bërthamore.
"Diskutime intensive janë në rrugën e duhur me të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë SHBA-në", shtoi ai, duke mirëpritur sinjale nga administrata e presidentit Joe Biden të cilat "po krijojnë hapësirën për të përparuar me të gjitha përpjekjet diplomatike".
"Tani është koha për diplomaci, të cilën po e bëjmë intensivisht", tha zëdhënësi evropian.
Të enjten, Ned Price, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, tha se Washington-i është i hapur për ftesë nga BE-ja për takim me fuqitë botërore dhe Iranin për të diskutuar kthimin në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
Marrëveshja bërthamore, zyrtarish e njohur si Plani i Përbashkët i Përgjithshëm i Veprimit (JCPOA), u nënshkrua në vitin 2015 nga Irani, SHBA-ja, Kina, Rusia, Franca, Brtiania, Gjermania dhe BE-ja.
Sipas marrëveshjes, Teherani u lejua të pasurojë uraniumin deri në përqendrim 3,67 për qind dhe në këmbim fuqitë botërore ranë dakord të heqin sanksionet e tyre ekonomike kundër Iranit.
Megjithatë, SHBA-ja, nën ish-presidentin Donald Trump, u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018 dhe vendosi përsëri sanksione mbi Iranin, duke bërë që Teherani të ndalojë së përmbushuri marrëveshjen bërthamore.
Në janar, Irani njoftoi një plan të ri për të rritur më tej pasurimin e uraniumit si një kundërmasë ndaj sanksioneve të vendosura nga administrata Trump.
Pavarësisht vendimit të SHBA-së për tërheqje, Gjermania, Franca dhe Britania kanë nënvizuar vazhdimisht angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes duke i kërkuar Teheranit që të kthehet në përputhje të plotë me marrëveshjen.