Ömer Tuğrul Çam
21 Tetor 2020•Përditësim: 21 Tetor 2020
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel deklaroi se pas Brexit-it duan marrëveshje tregtare me Britaninë e Madhe por ky vend duhet të tërhiqet nga kërkesat e saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Michel në Asamblenë e Përgjithshme të Parlementit Evropian lidhur me marrëdhëniet BE-Britani dhe marrëveshjen që kërkohet të arrihet pas Brexit-it tha se "Ne duam marrëveshje por kjo nuk nënkupton 'me çdo kusht'".
"Miqtë tanë britanikë thonë se duan një marrëdhënie të afërt. Edhe ne e duam. Por, Britania dëshiron të hyjë në tregun e vetëm të BE-së dhe në të njëjtën kohë dëshiron të mbetet e ndarë nga rregulloret dhe standardet tona. Nuk mund të ketë 'edhe të ngopësh barkun edhe të mbash tortën'. Britania është e detyruar të bëjë një zgjedhje lidhur me të ardhmen e modelit të saj ekonomik".
Çështjet problematike në bisedime
Temat kryesore problematike në bisedimet mes BE-së dhe Britanisë janë sigurimi i konkurencës së drejtë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve tregtare dhe peshkimi.
BE-ja dëshiron të përdorë ujërat e Britanisë për peshkim me arsyetimin se Britania dëshiron të jetë në tregun evropian.
Gjithashtu BE-ja dëshiron që Britania të zbatojë Marrëveshjen e Ndarjes Brexit edhe pse nuk ka asnjë marrëveshje si rezultat i bisedimeve. Ndërsa Britania thekson se nuk mund të vazhdojë bisedimet e marrëveshjes tregtare përsa kohë që BE-ja nuk ndryshon pozicionin e saj.
Ndërkohë, Michel Barnier i cili zhvillon bisedimet e BE-së me Britaninë tha se duan të vazhdojnë punimet për një marrëveshje. "Nuk jemi në qëndrimin se 'duhet me patjetër një marrëveshje' por se do të vazhdojnë t'i mbajnë dyert hapur deri në momentin e fundit", tha ai.
"Një marrëveshje mund të arrihet nëse të dyja palët duan të punojnë në mënyrë konstruktive, të arrijnë dakordim dhe të sigurojnë përparim mbi tekstet ligjore", tha Barnier.