Pizaro Gozali Idrus
26 mars 2021•Përditësim: 26 mars 2021
Parashikimi i Bankës Botërore (BB) i botuar sot tregoi se pritet që ekonomia e Mianmarit këtë vit të bie për 10 për qind, që është rënie e madhe në raport me vlerësimin e kaluar të rritjes prej 5,9 për qind nga tetori i vitit 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).
Banka Botërore njoftoi se zhvillimet e fundit në këtë vend kanë pasur ndikim shumë negativ në ekonomi.
"Mianmari është goditur rëndë nga protestat, grevat e punëtorëve, aksionet ushtarake, lëvizja e zvogëluar dhe vështirësitë e vazhdueshme në shërbimet themelore publike, duke përfshirë shërbimet bankare, logjistike dhe shërbimet e internetit", thekson njoftimi.
Mianmari po përballet me protesta, greva dhe sanksione pas një grushti shteti ushtarak më 1 shkurt.
Si përgjigje ndaj grushtit të shtetit, njerëzit në gjithë vendin filluan një fushatë të mosbindjes civile, duke marrë pjesë në demonstrata dhe tubime masive.
Një organizatë e shoqërisë civile që punon për lirimin e të burgosurve politikë në Mianmar ka zbuluar se forcat e Mianmarit kanë vrarë të paktën 320 njerëz pas grushtit të shtetit.
Ushtria e Mianmarit kreu grusht shteti më 1 shkurt të këtij viti dhe mori pushtetin në vend me pretekstin se zgjedhjet e nëntorit ishin të parregullta.
Ushtria shpalli gjendje të jashtëzakonshme njëvjeçare dhe arrestoi drejtuesit e qeverisë, duke përfshirë udhëheqësen e Mianmarit, Aung San Suu Kyi. Protestat masive kundër puçit ushtarak filluan më 6 shkurt.