Oliver Towfigh Nia
01 Maj 2026•Përditësim: 01 Maj 2026
Duke iu bashkuar një mosmarrëveshjeje transatlantike që po vazhdon prej disa ditësh, zëvendëskancelari gjerman, Lars Klingbeil, ka kritikuar presidentin amerikan, Donald Trump, për strategjinë e tij ndaj Iranit, si dhe i ka bërë thirrje që lufta të përfundojë sa më shpejt, transmeton Anadolu.
"Mendoj se ai vërtet besonte se kjo do të ishte çështje dy ose tre ditësh dhe më pas gjithçka do të ishte në rregull. Tani ai mban përgjegjësinë për të siguruar që kjo luftë në Iran të përfundojë shpejt", tha Klingbeil në një aktivitet për Ditën e Punës në qytetin perëndimor Bergkamen.
Klingbeil gjithashtu mbrojti kancelarin Friedrich Merz ndaj kritikave të presidentit amerikan gjatë kësaj jave.
"Nuk kemi aspak nevojë për këshilla nga Trumpi. Ai duhet të shohë rrëmujën që ka krijuar. Duhet të sigurojë që tani të zhvillohen bisedime serioze të paqes për Iranin. Dhe këtë e them veçanërisht në dritën e ditëve të fundit, kur ai ka bërë komente për qeverinë federale gjermane dhe kancelarin", shtoi ai.
Të martën, Trump pretendoi se kancelari gjerman e konsideron të pranueshme që Irani të posedojë armë bërthamore, duke tensionuar edhe më tej marrëdhëniet mes aleatëve.
Në platformën e tij sociale Truth Social, Trump tha se Merz "nuk e di për çfarë po flet" dhe theksoi një Teheran i armatosur me armë bërthamore do ta mbante botën "peng".