Murat Ünlü
11 Qershor 2017•Përditësim: 12 Qershor 2017
PARIS (AA) - Sipas anketave të para të pasvotimit, fitues në raundin e parë të zgjedhjeve të përgjithshme në Francë ka dalë lëvizja e presidentit Emmanuel Macron Marshi Republikan, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas anketave të pasvotimit të realizuara nga televizioni publik francez France 2, Marshi Republikan (REM) i Emmanuel Macron dhe Lëvizja Demokratike (MODEM) me të cilën ka lidhur aleancë, mund të sigurojnë shumicën e 577 deputetëve që do të zënë ulëset në Kuvendin Nacional.
Sipas anketave, REM dhe MODEM do të sigurojnë 390 deri në 430 deputetë në Kuvendin Nacional.
Ndërkaq, gjithnjë sipas anketave të pasvotimit, aleanca e kryesuar nga Partia Republikane (LR) e qendrës së djathtë do të ngel me 85 deri në 125 deputetë, kurse Fronti Nacional i ekstremit të djathtë mund të nxjerre tre deri në dhjetë deputetë.
Nga gjithsej 7.877 kandidatë për deputetë, ata që kanë marrë të paktën 50 për qind të votave në raundin e parë do të sigurojnë ulëset drejtpërdrejt në kuvend, kurse ata që nuk e kanë arritur këtë barazh do të garojnë në raundin e dytë.
Në raundin e dytë që do të mbahet më 18 qershor të drejtë garimi do të kenë ata deputetë që në raundin e parë kanë siguruar të paktën 12,5 për qind të votave, ndërsa në këtë raund do të zgjidhen ata deputet që marrin numrin më të madh të votave.
Të drejtën për të formuar qeverinë do ta ketë partia që në fund të zgjedhjeve do të ketë siguruar shumicën prej 289 apo më shumë deputetësh.
Deri në orën 17:00, pjesëmarrja ishte 40,75 për qind, teksa shkalla e njëjtë në raundin e parë të zgjedhjeve të përgjithshme para pesë viteve ishte 48,31 për qind, kurse në vitin 2007 49,28 për qind.
Këto zgjedhje u organizuan teksa Franca ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme. Për mbarëvajtjen e tyre në detyrë janë vënë afër 50 mijë pjesëtarë të policisë, xhandarmërisë dhe ushtrisë në rreth 69 mijë qendrat e votimit.