Davit Kachkachishvili
04 Janar 2023•Përditësim: 05 Janar 2023
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se kanë kryer përgatitje kundër sulmeve të mundshme që ushtria ruse mund të zhvillojë kundër vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një video-mesazh që ndau nga llogaria në Telegram, Zelenskyy theksoi se ka biseduar në telefon me liderët e disa vendeve për të marrë më shumë mbështetje në luftën që vazhdon kundër Rusisë.
Zelenskyy informoi se ka zhvilluar biseda telefonike të ndara me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau; kryeministrin britanik, Rishi Sunak; kryeministrin holandez, Mark Rutte dhe kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store.
Duke pretenduar se Rusia ka përgatitur mobilizim të ri kundër Ukrainës, Zelenskyy tha se "aktualisht është një moment i nevojshëm që bashkë me partnerët tanë të forcojmë mbrojtjen tonë".
Ai njoftoi se kanë kryer përgatitje kundër sulmeve të mundshme të Rusisë ndaj vendit të tij, duke shtuar: "Duhet të prishim këtë skenar rus. Po përgatitemi për këtë. Terroristët duhet të humbasin. Çdo përpjekje për sulmet e tyre të reja duhet të dështojë".