Selen Temizer
16 Dhjetor 2021•Përditësim: 17 Dhjetor 2021
Presidenti ukrainas, Vladimir Zelensky, ka deklaruar se Rusia që nga viti 2014 e ka shtyrë Ukrainën drejt NATO-s dhe se po i hap rrugën për t'u anëtarësuar në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).
Zelenski ka folur në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, në selinë e NATO-s në Bruksel.
Duke theksuar se ajo që po ndodh aktualisht në Krime, Detin e Zi dhe Detin Azov duhet të konsiderohet si pjesë e elementeve hibride të luftës ruse, Zelensky tha se ka biseduar me Stoltenberg për kërcënimin e Rusisë dhe pjesëmarrjen e Ukrainës në stërvitje dhe misione të ndryshme.
“Dëshiroj të theksoj se Ukraina është një partner i besueshëm i NATO-s dhe jemi të lumtur të forcojmë dhe thellojmë bashkëpunimin tonë në rajon, veçanërisht në Detin e Zi”, tha Zelenski.
Ai deklaroi se Ukraina vitet e fundit e sheh veten si pjesë e NATO-s dhe se numri i ukrainasve që duan që vendi i tyre të bëhet anëtar i NATO-s është rritur, veçanërisht pas vitit 2014 kur Krimea u aneksua.
"Siç e dini, jo të 30 aleatët e NATO-s e mbështesin anëtarësimin e Ukrainës. Ndjej se Rusia e ka shtyrë Ukrainën drejt NATO-s që nga viti 2014. Ky është mendimi im. Rusia po i hap rrugën Ukrainës për t'u anëtarësuar në NATO", tha Zelenski.
Stoltenberg tha se vazhdon të mbështesë përpjekjet e Ukrainës për t'u bërë anëtare e NATO-s.
"30 aleatë të NATO-s do të vendosin kur Ukraina të jetë gati të bëhet anëtare. Ajo që është e rëndësishme tani është që ne të fokusohemi në reformat në mënyrë që Ukraina të përmbushë standardet e NATO-s. E mirëpres angazhimin e fortë të Zelensky-t për këtë", tha Stoltenberg.
Duke theksuar se mbështetja e NATO-s për Ukrainën nuk përbën kërcënim dhe se është bashkëpunim në mbrojtje, Stoltenberg u shpreh se, "Rusia është agresori këtu. Rusia përdori forcën ushtarake kundër Ukrainës duke aneksuar ilegalisht Krimenë në vitin 2014".
Duke theksuar se aleatët e NATO-s janë të gatshëm të bisedojnë me Rusinë, Stoltenberg përsëriti thirrjen ndaj Moskës për t'u kthyer në Këshillin NATO-Rusi.
"Dialogu është më i rëndësishëm kur tensionet janë të larta. Në të njëjtën kohë, NATO (për shkak të akumulimit të ushtrisë ruse pranë kufirit ukrainas) mbetet në gatishmëri", tha Stoltenberg.