Fatma Zehra Solmaz
14 Prill 2026•Përditësim: 14 Prill 2026
Një letër e hapur e nënshkruar nga më shumë se 1.400 aktorë, regjisorë dhe kineastë, përfshirë figura të njohura të Hollywood-it ka shprehur kundërshtimin ndaj bashkimit të propozuar midis "Paramountit" dhe "Warner Bros. Discovery", transmeton Anadolu.
Ndër nënshkruesit janë Emma Thompson, Ben Stiller, Javier Bardem dhe Rose Byrne.
Letra, e publikuar të hënën nga "New York Times" dhe e disponueshme edhe në faqen "blockthemerger.com/openletter", paralajmëron se marrëveshja do të thellojë përqendrimin në një industri mediatike tashmë shumë të përqendruar dhe do të dëmtojë më tej sektorin e argëtimit në SHBA, i cili sipas saj është tashmë nën presion.
"Ky transaksion do të përqendrojë edhe më tej një peizazh mediatik tashmë të përqendruar, duke reduktuar konkurrencën në një moment kur industritë tona dhe audiencat që ne u shërbejmë nuk mund ta përballojnë këtë", thuhet në letër.
"Paramount"-i u përgjigj se mbetet e përkushtuar për të mbështetur talentin dhe për të "siguruar që krijuesit të kenë më shumë rrugë për punën e tyre, jo më pak".
Marrëveshja e propozuar vjen në një kohë kur industria e argëtimit vazhdon të rikuperohet nga ndikimi i pandemisë së COVID-19, grevat sindikale të vitit 2023 dhe ndërprerjet e vazhdueshme nga kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe ndryshimet në zakonet e audiencës.
Me një vlerë rreth 111 miliardë dollarë, bashkimi do të reduktonte numrin e studiove të mëdha filmike në SHBA në katër. Letra argumenton se kjo jo vetëm që do të ulte mundësitë e punësimit brenda studiove, por edhe do të kufizonte numrin e blerësve dhe producentëve në industrinë e filmit dhe televizionit.
Letra vjen disa muaj pasi "Paramount"-i dhe drejtori i saj ekzekutiv David Ellison tejkaluan ofertën e Netflix-it për të blerë "Warner Bros. Discovery" në një marrëveshje prej 111 miliardë dollarësh. Ellison ka argumentuar se blerja do të përfitonte komunitetin krijues, duke u zotuar të publikojë të paktën 30 filma kinematografikë në vit dhe të investojë në të dy studiot. Ai tha se një marrëveshje me Netflix-in do të kishte krijuar një gjigant dominues të transmetimit, afërsisht dy herë më të madh se konkurrenti i tij më i afërt.
Blerja e "Warner Bros. Discovery" nga "Paramount"-i pritet të përfundojë më vonë këtë vit, në varësi të miratimeve nga aksionarët dhe autoritetet rregullatore. Kompania thotë se nuk pret pengesa të mëdha në SHBA dhe vëren se vende si Gjermania dhe Sllovenia e kanë miratuar tashmë marrëveshjen.
Prokurori i përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta tha se blerja "nuk është një çështje e mbyllur", duke shprehur dyshime se autoritetet federale do të kryejnë një shqyrtim të plotë.