Tufan Aktaş
26 Korrik 2017•Përditësim: 27 Korrik 2017
ADIS ABEBA (AA) – Programi Botëror për Ushqim i Kombeve të Bashkuara (WFP) njoftoi se 70 për qind të ndihmave ushqimore shkojnë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, raporton Anadolu Agency (AA).
Programi Botëror i Ushqimit në qendrën e përgjithshme të Unionit Afrikan në kryeqytetin e Etiopisë, Addis Abeba, prezantoi raportin e Ndihmave Botërore të Ushqimit për vitin 2017.
Khabele Matlosa, drejtori i Punëve Politike të Komisionit të Unionit Afrikan, në një deklaratë para prezantimit të raportit tha se 17.8 milionë persona në këtë kontinent po zhvendosen nga vendet e tyre për arsye të ndryshme dhe se problemi i ushqimit i godet më së shumti gratë dhe fëmijët të cilët detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.
Duke vënë në dukje se në vitet e fundit thatësirat dhe përmbytjet kanë shkaktuar efekte shkatërruese në aspektin e ushqimit, Matlosa thotë se Unioni Afrikan po bën përpjekje për sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme kundër problemit të ushqimit.
Ndihmat e ushqimit janë dyfishuar
Në anën tjetër në raport thuhet se shpenzimet për ndihmat ushqimore të WFP-së, të cilat në vitin 2009 kanë qenë 2.2 miliardë në vitin 2016 kanë arritur në 5.6 miliardë dollarë.
“Disa rajone në Afrikën qendrore dhe lindore dhe në rajonin Lindja e Mesme - Afrika Veriore po ballafaqohen me një krizë të madhe dhe të paqartë të ushqimit. Për këto dy rajone shpenzohen 70 për qind të ndihmave ushqimore”, thuhet në raport.
Më tej në raport bëhet e ditur se në gjithë botën gjatë vitit 2017 edhe 108 milionë persona janë bërë të varur nga ndihmat ushqimore, ndërsa 40 për qind e të gjitha ndihmave humanitare përbëhen nga ndihmat ushqimore.