Talha Yavuz
19 Shkurt 2022•Përditësim: 20 Shkurt 2022
Një ushtar ukrainas është vrarë kur separatistët pro-rusë hapën zjarr në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore, njoftoi sot ushtria ukrainase, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ushtria ukrainase thotë se separatistët pro-rusë e kanë shkelur armëpushimin 19 herë.
Në një deklaratë tjetër thuhet se separatistët e shkelën armëpushimin 66 herë në rajone të ndryshme të premten.
Ukraina dhe Rusia janë në konflikt që nga shpërthimi i armiqësive në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas në vitin 2014, pasi Moska aneksoi ilegalisht gadishullin e Krimesë.
Rusia ka vendosur mijëra trupa pranë kufirit me Ukrainën, duke rritur frikën se mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike. SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë paralajmëruar për një sulm të afërt dhe kanë kërcënuar Rusinë me "pasoja të rënda".
Megjithatë, Moska ka mohuar se po përgatitet për një pushtim të Ukrainës, duke pretenduar se ushtarët rusë janë atje për stërvitje.