Ali H. M.Abo Rezeg
14 Prill 2018•Përditësim: 15 Prill 2018
KAJRO (AA) - Të paktën tetë ushtarë të Egjiptit u vranë të shtunën në gadishullin Sinai gjatë një operacioni të sigurisë në rajon, njoftoi ushtria egjiptiane, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Një grup prej 14 militantë të armatosur me jelek me eksploziv, mitraloz dhe raketa-hedhës dore sulmoi të shtunën kampin në pjesën qendrore të Sinait", deklaroi zëdhënësi i ushtrisë egjiptiane, koloneli Tamer Rifai.
Ai theksoi se forcat ushtarake iu përgjigjën sulmuesve dhe vranë të gjithë 14 militantët. Sipas tij, tetë ushtarë egjiptianë u vranë, ndërsa 15 u plagosën kur një nga sulmuesit aktivizoi eksplozivin në jelek.
Sulmi i së shtunës erdhi pasi autoritetet egjiptiane vazhduan gjendjen e jashtëzakonshme edhe për tre muaj të tjerë.
Gjendja e jashtëzakonshme u shpall së pari në prill të vitit të kaluar pas një sulmi të dyfishtë me bombë në një kishë, ku dhjetëra njerëz u vranë dhe përgjegjësinë për të cilën e mori DEASH-i.
Gjithashtu, sulmi vjen në një kohë kur forcat e sigurisë egjiptiane vazhduan ofensivën e madhe kundër militantëve të akuzuar për kryerjen e një sërë sulmesh në të gjithë vendin.
Të shtunën, ushtria egjiptiane njoftoi se forcat e saj vranë 27 militantë të dyshuar si pjesë e një operacioni të sigurisë të nisur më 9 shkurt të këtij viti.
Gadishulli i Sinait është qendra e rebelëve militantë nga viti 2013, kur me grusht shteti ushtarak u rrëzua Mohamed Morsi, presidenti i parë egjiptian i zgjedhur në zgjedhje të lira dhe udhëheqësi i Vëllazërisë Muslimane.