Felix Nkambeh Tih
21 Dhjetor 2020•Përditësim: 21 Dhjetor 2020
Sipas një burimi nga ushtria e Nigerisë, grupi terrorist Boko Haram ka vrarë pesë ushtarë nigerianë dhe ka rrëmbyer të paktën 35 persona në shtetin verilindor Borno të Nigerisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazeta lokale "The Guardian" citoi burimin duke theksuar se "terroristët lëshuan një raketë (RPG) mbi autokolonën, e cila goditi njërën nga automjetet me pesë ushtarë në të".
"Të pesë ushtarët u vranë", shtoi ai. Disa njerëz u plagosën në sulmin që ndodhi të shtunën në shtetin verilindor Borno, bastioni i Boko Haram.
Sulmi ndodhi vetëm disa ditë pasi mbi 300 nxënës të shkollës u shpëtuan nga forcat ushtarake pasi u rrëmbyen nga terroristët e grupit Boko Haram në shtetin Katsina, ku gjithashtu ndodhet shtëpia e presidentit nigerian, Muhammadu Buhari.
Rrëmbimi, i cili duket se nuk ka lidhje, pason rrëmbimin e 270 vajzave të shkollës në Chibok në vitin 2014 dhe rrëmbimin e 110 vajzave në vitin 2018 në verilindje nga Boko Haram.
Ndërkohë, ushtria nigeriane "neutralizoi" nëntë terroristë në operacionet kundër grupit gjatë fundjavës.
Më shumë se 30.000 njerëz janë vrarë dhe gati 3 milion janë zhvendosur në një dekadë të dhunës nga Boko Haram në Nigeri, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, dhuna nga Boko Haram ka prekur 26 milion njerëz në rajonin e Liqenit Çad dhe ka zhvendosur 2.6 milion të tjerë.