Burak Bir
03 Maj 2019•Përditësim: 04 Maj 2019
Juan Guaido, që u vetëshpall president i Venezuelës, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të dalin në rrugë të shtunën në protesta masive për të përmbysur udhëheqësin e zgjedhur të vendit, Nicolas Maduro, transmeton Anadolu Agency (AA).
Guaido në një postim në Twitter bëri thirrje për një grevë të përgjithshme për t'i dhënë fund asaj që, siç e quajti ai, "uzurpim të shtetit nga Maduro".
"Vazhdimi i protestave në rrugë është mënyra e vetme për të ruajtur vëmendjen, presionin dhe veprimin e komunitetit ndërkombëtar, si dhe t’u dëshmohet mbështetësve të diktatorit se nuk do të ketë stabilitet nëse vazhdon ky uzurpim," tha Guaido.
Udhëheqësi i opozitës së Venezuelës, Juan Guaido, lëshoi një video-mesazh të martën, ku me një kontingjent të njerëzve me uniforma dhe automjete të blinduara bënin thirrje për kryengritje dhe për t'i dhënë fund "uzurpimit" të Maduros, si dhe bëri thirrje për demonstrata masive kundër presidentit.
Ai theksoi se kjo ishte fillimi i fazës përfundimtare të përpjekjes për të përmbysur Maduron, i njohur si operacioni Liberty (Liria).
Venezuela është tronditur nga protestat që nga 10 janari, kur Maduro u betua për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.
Tensionet u përshkallëzuan kur Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, u vetëshpall si president i përkohshëm më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.