Büşra Nur Bilgiç Çakmak
08 Janar 2020•Përditësim: 08 Janar 2020
Në vazhdën e sulmeve raketore të Iranit në dy bazat e SHBA-së në Irak, disa vende evropiane njoftuan se nuk raportohet për viktima midis ushtarëve të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Në orët e hershme të së mërkurës, trupat e Gardë Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) shkrepën dhjetëra raketa balistike kundër forcave ushtarake amerikane dhe forcave të koalicionit në Irak.
Raketat u hodhën nga Irani dhe shënjestruan të paktën dy baza ushtarake në Irak, ku janë stacionuar forcat ushtarake të SHBA-së dhe forcat e koalicionit, në Al-Asad dhe Erbil.
Irani tha se sulmi i së mërkurës erdhi si përgjigje e vrasjes amerikane të kreut të forcës elitare të Iranit Quds, Qasem Soleimani, javën e kaluar.
Vrasja e tij shënoi një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit, që shpesh herë kanë qenë të nxehta që në vitin 2018 kur presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi Washingtonin në mënyrë të njëanshme nga pakti bërthamor i vitit 2015 midis fuqive botërore dhe Teheranit.
Sulmet e ditës së sotme vazhduan serinë e kritikave të ndërsjella midis SHBA-së dhe forcave të mbështetur nga Irani që filluan me vrasjen e një kontraktori amerikan në një bazë amerikane në Irak në fund të muajit të kaluar.
Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, dënoi sulmin në një deklaratë të shkruar dhe shprehu shqetësimin për viktima të mundshme dhe përdorimin e raketave balistike.
"Ne i kërkojmë Iranit të mos i përsërisë këto sulme të pakujdesshme dhe të rrezikshme, dhe në vend të kësaj të përkushtohet për de-përshkallëzimin e menjëhershëm", tha ai.
"Nga një luftë në Lindjen e Mesme do të përfitonte vetëm DEASH-i dhe grupe të tjera terroriste", shtoi Raab.
Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, gjithashtu tha se asnjë nga trupat polake nuk u dëmtua në sulmet iraniane.
"Asnjë nga ushtarët polakë në Irak nuk u lëndua në sulmet me raketa në bazat Al-Asad dhe Erbil. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me komandantin e Kontingjentit Ushtarak Polak në Irak", tha Blaszczak në Twitter.
Po ashtu edhe Forcat e Armatosura Daneze dhe Ministria e Mbrojtjes e Lituanisë thanë se asnjë nga trupat e tyre nuk u plagos ose u vra në sulm.
Sipas televizionit shtetëror të Iranit, 80 shtetas amerikanë u vranë në sulmet me raketa balistike në bazat ushtarake Irakiane.