Esat Fırat
08 Mars 2018•Përditësim: 08 Mars 2018
KUDS (AA) – Ushtria izraelite ka arrestuar 9 palestinezë në Bregun e pushtuar Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se në operacionet e kryera mbrëmë në rajone të ndryshme të Bregut Perëndimor janë arrestuar 9 palestinezë me pretendimin se "janë përfshirë në akte terroriste".
Forcat izraelite shpesh herë kryejnë bastisje në shtëpitë e Bregut Perëndimor dhe në Kudsin Lindor, ku nën akuza të ndryshme arrestojnë palestinezë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në burgjet izraelite gjenden rreth 6.500 palestinezë, mes të cilëve 62 janë gra, 450 të burgosur administrativ, 12 deputetë dhe rreth 300 fëmijë.
Me praktikën e quajtur “burgosje administrative” Izraeli mund të burgosë palestinezët nga 1 deri në 6 muaj. Në qoftë se vendoset se i burgosuri paraqet “rrezik për sigurinë e Izraelit”, gjyqtari ushtarak pa iu atribuar veprës penale, mund të zgjatë kohën e burgimit deri në 5 vite.