Mohammad Sıo
20 maj 2025•Përditësim: 20 maj 2025
Ushtria sudaneze tha sot se kryeqyteti Khartum tani është “plotësisht i lirë” nga grupi paraushtarake Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), pas muajsh luftimesh intensive, tranmseton Anadolu.
“Ne njoftojmë sot pastrimin e plotë të të gjithë shtetit të Khartumit nga çdo prani e milicisë së Al-Dagalos dhe pastrimin e kryeqytetit tonë kombëtar nga njollat e rebelëve”, tha zëdhënësi i ushtrisë Nabil Abdullah në një deklaratë të regjistruar.
“Konfirmojmë se shteti i Khartumit është plotësisht i lirë nga rebelët”, shtoi ai.
Zëdhënësi ushtarak tha sot herët se forcat e ushtrisë vazhduan “të shtypin milicinë e RSF-së” në jug dhe perëndim të Omdurmanit, qytetit binjak të Khartumit.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga grupi rebel mbi deklaratën e ushtrisë.
Që nga prilli i vitit 2023, RSF-ja ka luftuar ushtrinë për kontrollin e Sudanit, duke rezultuar në mijëra vdekje dhe duke krijuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë.
Më shumë se 20.000 njerëz janë vrarë dhe 15 milionë janë zhvendosur, sipas OKB-së dhe autoriteteve lokale. Megjithatë, hulumtimet nga studiuesit amerikanë e vlerësojnë numrin e të vdekurve në rreth 130.000.