Bota

Ushtria e Mianmarit pushton ambasadën e vendit në Londër

Për mediat lokale ambasadori incidentin e përshkroi si "një lloj grusht shteti në mes të Londrës"

Ahmet Gürhan Kartal   | 08.04.2021
Ushtria e Mianmarit pushton ambasadën e vendit në Londër

Londër

Ambasadori i Mianmarit në Londër, Kyaw Zwar Minn, tha se ai është dëbuar nga ndërtesa e ambasadës nga atasheu ushtarak i vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ambasadori tha se një përfaqësues i ushtrisë së Mianmarit në Mbretërinë e Bashkuar i kërkoi stafit të ambasadës të largohet nga ndërtesa, ndërsa ambasadorit i tha se ai nuk është më përfaqësues i vendit.

Për mediat lokale ambasadori incidentin e përshkroi si "një lloj grusht shteti në mes të Londrës".

"Ata po refuzojnë të më lejojnë të hyj brenda. Ata thanë se morën udhëzime nga kryeqyteti, kështu që nuk do të më lejojnë të hyjë brenda. Ky është një grusht shtet. Kjo është Mbretëria e Bashkuar, nuk jemi në Mianmar, në Birmani. Ata nuk mund ta bëjnë këtë. Qeveria britanike nuk do të lejojë këtë, do ta shihni atë", tha ambasadori Zwar Minn.

Zwar Minn kundërshtoi grusht shtetin në Mianmar dhe lëshoi një deklaratë duke kërkuar lirimin e udhëheqëses së Lidhjes Kombëtare për Demokraci (NLD) në pushtet, Aung San Suu Kyi dhe të udhëheqësve civilë.

Ai po ashtu ishte takuar me sekretarin e jashtëm britanik, Dominic Raab, për të dënuar mizoritë nga ushtria në Mianmar. Televizioni shtetëror i vendit tha se ai po tërhiqej për lëshimin e një deklarata të paautorizuar.

Sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) me bazë në Mianmar, të paktën 581 persona në Mianmar janë vrarë që kur ushtria e vendit mori kontrollin.

Që nga 6 prilli, njofton AAPP, gjithsej 2.750 persona janë në paraburgim, 38 prej të cilëve janë dënuar.

Ushtria e Mianmarit mori pushtetin më 1 shkurt, duke rrëzuar qeverinë e zgjedhur të Aung San Suu Kyi dhe duke i dhënë fund eksperimentit të shkurtër të vendit me sundimin demokratik.

Në përgjigje të grusht shtetit, grupet civile në të gjithë vendin filluan një fushatë të mosbindjes civile me demonstrata masive dhe protesta në mënyra të ndryshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.