Zehra Nur Düz
14 Dhjetor 2020•Përditësim: 14 Dhjetor 2020
Forcat irakiane vranë 42 terroristë të DEASH-it në një operacion anti-terrorist në Irakun verior, njoftoi ushtria, transmeton Anadolu Agency (AA).
Operacioni u krye në zonën Ayn al-Jahash në jug të provincës Mosul, tha divizioni i ushtrisë kundër terrorizmit në një deklaratë.
Forcat e sigurisë shkatërruan një numër të madh strehimoresh terroriste gjatë operacionit, i cili u mbështet nga forcat ajrore irakiane, thuhet në deklaratë.
Në fund të vitit 2017, zyrtarët në Bagdad shpallën shkatërrimin e pranisë ushtarake të DEASH-it në Irak. Megjithatë, grupi terrorist vazhdon të jetë i pranishëm në zonat rurale të provincave Anbar, Diyala, Kirkuk, Saladin dhe Mosul.
Ushtria Irakiane vazhdon të kryejë operacione të shpeshta kundër grupit në pjesë të ndryshme të vendit.