Selçuk Acar
19 Shtator 2017•Përditësim: 20 Shtator 2017
NEW YORK (AA) - Uragani i ri që ka filluar të godasë Ishujt e Karaibeve në Oqeanin Atlantik pas Uraganit Irma, uragani "Maria", ka kaluar në kategorinë e pestë, raporton Anadolu Agency (AA).
Uragani "Maria" është afruar pranë Portorikos dhe Ishujve Virgin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Meteorologët kanë paralajmëruar se dëmet e uraganit mund të jenë tejet shkatërruese, të cilat nuk do të mund të rikuperohen me muaj.
Guvernatori i Portorikos, Ricardo Rossello ka theksuar se uragani "Maria" mund të jetë më i fuqishëm se sa Irma, duke shtuar se ai mund të shkaktojë më shumë erëra dhe të reshura.
Nga ana tjetër, Qendra Nacionale Amerikane e Uraganeve (NHC) e ka ngritur në kategorinë e pestë nivelin e intensitetit të uraganit të ri.
Uragani "Maria" me efekt shkatërrues në Dominikë
Dominika e cila pas uraganit Irma u godit edhe nga uragani Maria po përjeton shkatërrimet më të mëdha në historisë e saj.
Sipas lajmit të BBC-së, kryeministri i Dominikës Roosevelt Skerrit ka theksuar se për shkak të uraganit vendi ka pësuar një "dëm të madh".
Në një postim nga llogaria e medias sociale Skerrit tha se "Kemi humbur gjithçka që mund të blihet me para".
Kryeministri Skerrit në postimet e mëparshme ka bërë të ditur se edhe shtëpia e tij është përmbytur dhe se i është shkatërruar çatia duke shtuar se ka mbetur gjallë në "mëshirën e natyrës".
Ende nuk dihet nëse ka të vdekur apo të plagosur si pasojë e uraganit.
NHC po ashtu ka njoftuar se Maria ka goditur Ishujt Dominikanë me shpejtësi prej 260 kilometrash në orë dhe se uragani mund të ndjekë rutën e ngjashme me atë të Uraganit Irma, i cili pasi goditi Karaibet rrezikoi edhe pjesën juglidnore të SHBA-ve, posaçqërisht Floridan.
Vendi ishullor Dominika e cila ndodhet në lindje të Karaibeve ka një popullsi prej afërsisht 72 mijë banorë.
Ndryshe, shumë persona në Ishujt e Karaibeve humbën jetën si pasojë e Uraganit Irma, i cili përfshiu edhe Floridën, Xhorxhian, Alabaman dhe Karolinën e Veriut dhe Jugore të SHBA-ve, duke shktaktuar evakuimin e rreth shtatë milionë njerëzve.