Bahtiyar Abdülkerimov
15 Maj 2022•Përditësim: 16 Maj 2022
Autoritetet ukrainase njoftuan se një autokolonë e madhe evakuimi u lejua të largohet nga Mariupoli i rrethuar nga Rusia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëvendës kryetari i Bashkisë së Mariupolit, Petro Andryushchenko tha se forcat ruse pas 3 ditësh pritjeje lejuan që një autokolonë e madhe e përbërë nga automjetet e personave që jetojnë në Mariupol të kalojë në zonën Zaporizhzhia të kontrolluar nga Ukraina dhe se në autokolonën e evakuimit ndodhen 500 deri në 1.000 automjete.
Thuhet se ky është evakuimi më i madh nga Mariupoli në një ditë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
OKB-ja njofton se të paktën 3.573 civilë janë vrarë dhe 3.816 janë plagosur që nga fillimi i luftës ruse kundër Ukrainës, ndërsa shifrat reale dyshohet të jenë shumë më të larta.
Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, më shumë se 6 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina në vende të tjera dhe rreth 7.7 milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit.